Janjiq: Kosova në vjeshtë, vëzhguese në OKB

Kosova do të mund ta fitojë statusin e vëzhguesit në OKB në mbledhjen e rregullt të vjeshtës në Asamblenë e Përgjithshme.

Lajme

28/06/2014 11:18

Rruga e Kosovës deri të arritja e statusit të vëzhguesit në Kombe të Bashkuara, nuk është e gjatë, pasi që mund të llogaritet në mbështetjen e 106 shteteve të cilat e kanë njohur, që bëjnë dy të tretat e shumicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, shkruan e përditshmja serbe “Novosti”.

Anëtari i Forumit për marrëdhënie etnike, Dushan Janjiq ka thënë për “Novosti” se kërkesa fillestare e gjermanëve ndaj Beogradit të mos e pengojë rrugën e Kosovës drejt OKB-së, është ndarë në dy pjesë – e para është emërimi i zyrtarit ndërlidhës, që tashmë është realizuar, në rend është ulësja në OKB.

“Kjo temë do të aktualizohet në vjeshtë, e cila bazohet në modelin e dy Gjermanive. Kthimi i zyrtarit ndërlidhës Dejan Paviqeviq nga kufiri me Kosovën është pjesë e kësaj strategjie, përmes së cilës tregohet se ka ardhur koha që këta zyrtarë ndërlidhës të fitojnë statusin e ambasadorëve”, ka thënë Janjiq.

Ai ka shtuar se ekzistojnë mundësi që Beogradi të mbajë Kosovën jashtë dyerve të OKB-së edhe këtë vjeshtë, por se këtë nuk do ta mund ta bëjë në vitin e ardhshëm.

Janjiq vlerësoi se Kosova më nuk ka kohë që të presë dhe se tashmë është e angazhuar që të sigurojë statusin e vëzhguesit.