Janari i 2019-ës do ta gjejë Kosovën me njësitin e Policisë së Gjelbër

Janari i vitit të ardhshëm Kosovën do ta gjejë me njësitin e Policisë së Gjelbër, e cila do të përkujdeset për ruajtjen e ambientit të pastër.

Lajme

23/10/2018 09:22

Kështu tha për Radio Kosovën ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Sipas ministrit Matoshi, roli i këtij njësiti të gjelbër policor do të jetë në shqiptimin e gjobave ndaj gjithë atyre që hedhin mbeturina në mënyrë të kundërligjshme.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i tha Radio Kosovës së në takimin e mbajtur kohë më parë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me përfaqësues të Policisë së Kosovës, jemi dakorduar që t’i themelojmë grupet punuese të cilat janë duke punuar rreth krijimit të policisë mjedisore.

“Është themeluar një grup që po merret me këtë çështje, detyra e tyre është që të bëjnë një kornizë si do të duket kjo polici mjedisore, cilat mund të jenë kompetencat e saj, sa mund të jetë numri i policëve mjedisorë, pastaj si do të bëhet shpërndarja e tyre dhe në fund, diskutimi si do të duken uniformat e policëve mjedisorë”,ka thënë Matoshi.

Luan Hasanaj, nga organizata “Let’s do it Kosova”, që merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, tha për Radio Kosovën se duke e parë gjendjen e mjedisit në vendin tonë, krijimi i policisë së gjelbër do ta rrisë vetëdijen e qytetarëve.

“Një polici e gjelbër kish me qenë e mirëseardhur, sepse në radhë të parë vetë prezenca e policisë për një problematikë të tillë,  e rrit pak vetëdijen e qytetarëve, por në anën tjetër do të jetë me efektive edhe kur bie fjala për t’i gjobitur ata të cilët hedhin mbeturina”,ka thënë Hasanaj.

Ministri Matoshi thotë së ka pasur vullnet politik për themelimin e kësaj drejtorie. Sipas tij, fillimi i vitit të ardhshëm Kosovën do ta gjejë me polici mjedisore.

“Besoj që fundi i këtij viti do të përcaktojë se si do të duket policia mjedisore, cilat do të jenë detyrat, përgjegjësitë e saj, në mënyrë që nga janari i vitit e ardhshëm të kemi policë mjedisorë gjithkah në Kosovë, Kjo iniciativë ka mbështetje politike edhe nga kryeministri,qeveria,  edhe nga faktorët e tjerë politikë”, ka shtuar Matoshi.

Iniciativa për krijimin e policisë së gjelbër, është në kuadër të angazhimeve për pastrimin e vendit, aksion ky i cili ka filluar më 15 shtator dhe  pritet të përfundojë me 15 dhjetor.