James e thërret Falcaon në Real

James Rodriguez shpreson të luajë në Real Madrid së bashku me bashkëkombësin Radamel Falcao. Sulmuesi kolumbian e konsideron sulmuesin e Monacos një lojtar me mentalitet fituesi, njëjtë si Los Blancos.

Sport

31/07/2014 09:56

Përforcimi më i ri i Real Madridit, James Rodriguez shpreson që atë ta ndjek në Santiago Bernabeu bashkëkombësi Radamel Falcao.

23 vjeçari ishte yll i Botërorit, duke e fituar Këpucën e Artë si golashënuesi më i mirë, për t’u transferuar më pas tek kampioni evropian.

Tash flitet që gjiganti madrilen ia ka mësyrë edhe kolumbianit tjetër, Falcao, me të cilin James kishte luajtur së bashku në Monaco e Porto, ndërsa shpreson që ai t’i bashkohet edhe në Madrid.

“Jam i sigurt se ai mund të luajë këtu. Mirëpo, unë nuk jam dikush që mund të vendos nëse ai do të vijë apo jo. I takon presidentit tonë”, deklaroi fillimisht James për AS.

“Por, ai mund të vijë këtu sepse ka kualitet dhe qëndrim fituesi. Kam luajtur me të për katër vjet, ishim të mangët kur shkoi në Atletico. Ai ka mentalitet fituesi dhe kjo ndodh edhe me Realin. Shpresoj që të vijë këtu”, përfundoi Rodriguez, i cili iu bashkua Realit për 80 milionë euro.