Jakup Krasniqi shpreh mirënjohje për Fatos Klosin

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish - anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka dalë në mbrojtje të Fatos Klosit – ish-shefit të Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH), për të cilin thotë se “ka merita të mëdha për ndihmën që i ka dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit shqiptar”.

Lajme

23/04/2015 13:58

Krasniqi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shprehur keqardhje “pse (Klosit) nga Kosova nuk i shkojnë mirënjohje, por akuza shpifëse”.

Postimit e tij Krasniqi e ka titulluar “Mirënjohja si institucion”, në shenjë të mirënjohjes për Klosin.

“Sot, kur po lexoja në medie një akuzë të drejtuar ndaj Fatos Klosit, i cili pa asnjë dyshim ka pasur një rol tepër të rëndësishëm, në vitet më të vështira të popullit shqiptar të Kosovës. Zoti Klosi, nuk ka asnjë dyshim që ka merita të mëdha për ndihmën që i ka dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit shqiptar. Ai me kontributin e tij për Kosovën si dhe me kontributin e tij për të shndërruar Sigurimin e Shtetit në Shërbim Informativ Shqiptar, duhet të jetë shembull edhe për gjeneratat e ardhshme. Ai ishte dhe është profesor i nderuar i shkencave te natyrës. Sigurisht që kishte një punë të rëndësishme për shtetin, por ai, as si shef i SHISH-it dhe as sot nuk ka pasur e nuk ka bodigardë. Vetëm kjo flet shumë për atë njeri fisnik. Ai ka shëtitur dhe shëtit në Shqipëri e Kosovë pa asnjë siguri personale. Siguria e tij, është ndershmëria e tij. Unë kam pasur rastin ta njoh dhe me vije keq, madje tepër keq, pse nga Kosova nuk i shkojnë mirënjohje, por akuza shpifëse. Kjo është ligësi. Është interesant, këta njerëz që e akuzojnë pa asnjë argument Klosin, nuk i dëgjon as edhe një herë që t’i akuzojnë Udbashët për veprat e shumta kriminale?!”, ka shkruan Jakup Krasniqi.

Ai ka shfaqur edhe falënderimet për popullin e Shqipërisë dhe udhëheqësit e tyre të asaj kohe, për ndihmën e dhënë popullit të Kosovës.

“E shfrytëzoj ketë rast, për të falënderuar popullin e Shqipërisë për ndihmën e shumanshme që ka dhënë për popullin tonë të Kosovës. Në ketë rast në mënyrë të veçantë do t’i falënderoja: Presidentin e Shqipërisë të atyre viteve, zotin Rexhep Mejdanin, Kryetarin e PSSH-së, zotin Fatos Nanon, Shefin e SHISH-it, zotin Fatos Klosin, Gjeneralin, Kudisi Lamen dhe Kryeministrin, zotin Pandeli Majkon dhe të gjithë ata zyrtarë që ndihmuan dhe nuk penguan njerëzit tanë në Shqipëri.

Pa këta njerëz dhe pa Shqipërinë, sigurisht që nuk do të ishim këtu ku jemi.

Unë edhe në ketë rast, Ua shprehi mirënjohjen time të sinqertë dhe u jam mirënjohës për jetë atyre njerëzve!”, ka përfunduar shkrimi i Krasniqit.