Jakup Krasniqi komenton zhvillimet e sotme në veri të Mitrovicës

Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nisma për Kosovën dhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka komentuar zhvillimet që ndodhën sot në veri të vendit, ku u vra politikani serb, Oliver Ivanoviq.

Lajme

17/01/2018 00:00

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se gjërat që ndodhën  janë pasojë e politikave të gabuara që janë udhëhequr në Kosovës pas qershorit të 1999.

Ja postimi i plotë:

Zhvillimet e sotme në Veri të Kosovës janë pasojë e politikave të gabuara që janë udhëhequr në Kosovë pas qershorit të vitit 1999, fillimisht nga Administrata Ndërkombëtare në Kosovë e njohur si UNMIK, është vazhduar nga EULEX-i me një ndikim të fuqishëm të pushtetit të Beogradit edhe pas Pavarësisë së 17 shkurtit 2008. Në atë pjesë të Kosovës edhe sot e kësaj dite, krimi i organizuar serb ka mbetur i pa ndëshkuar. Ai krim vazhdon të prodhoj pasiguri si për shqiptarët ashtu edhe serbet e Kosovës. Oliver Ivanociqi është viktimë e krimit të pandëshkuar serb në atë pjesë.

Në ngjarjen e dhimbshme të sotshme, faji i ka disa adresa dhe adresa kryesore është ne Beograd e pastaj segmentet ndërkombëtare të sigurisë dhe aktoret e bisedimeve të Brukselit nga pala e jonë.

Më poshtë lexuesit do të kenë mundësinë që ta lexojnë një shkrim timin, të botuar në vitet e legjislaturës së parë (2001 – 2004). Shkrimi është botuar në librin tim, “Një luftë ndryshe për Kosovën”, botim i “Buzukut”, Prishtinë 2007, faqe 115.

PASOJAT

E PUSHTETIT PARALEL SERB

NË KOSOVË

Në Kosovë pas qershorit 1999 kanë ndodhur ndryshime të mëdha, ato janë të prekshme në çdo sferë të jetës. Këtyre ndryshimeve iu dha udhë vetëm lufta çlirimtare, vendosmëria dhe gatishmëria e popullit tonë për flijime për jetën në liri, për paqe, për shtet të pavarur dhe demokraci. Në të njëjtën kohë, Kosova edhe gjatë kësaj kohe është përballur me pengesa të një mentaliteti agresiv të së kaluarës që nuk mund të pajtohen me ndryshimet pozitive, që po ndodhin dhe do të ndodhin rreth nesh.

Një pengesë serioze për Kosovën e re, për paqen dhe lirinë, për institucionet e shtetit demokratik është pushteti paralel ose, më mirë me thënë, mbeturinat e administratës së okupatorit në Kosovë. Ky pushtet në Kosovë është i ndaluar me të gjitha dokumentet bazë, me të cilat është i organizuar pushteti administrativ, publik dhe shoqëror në Kosovë. Pushteti paralel nuk ka mbështetje as në Rezo¬lutën 1244 e as në Kornizën Kushtetuese e as në ndonjë akt tjetër juridik legal e legjislativ të Kosovës së re. Ka mbështetje jolegale, në segmente të veçanta të Admi¬nistratës Ndërkombëtare në Kosovë që me pavendosmërinë e tyre kanë lejuar enklavizimin, ndarjen e territorit të Kosovës, funksionimin e administratës serbe, përfaqësimin e dyfishtë të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës si dhe shfrytëzimin e Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës pa kryer asnjë obligim qytetar për shërbimet publike që u bëhen atyre. Në anën tjetër, institucionet e Kosovës, duke qenë të reja dhe të varura nga administrata ndërkombëtare, të pakompetenca, të papërvojë, diku inerte, e diku tjetër demagogjike e të painiciativë, veç vullnetit dhe gatishmërisë për të privilegjuar pakicën serbe në çdo segment të jetës, nuk kanë arritur të fitojnë as besimin e administratës së UNMIK-ut e as të qytetarëve serbë të Kosovës. Këta të fundit, kryesisht (me ndonjë përjashtim të parëndësishëm) kanë pasur qën¬drim refuzues e bojkotues ndaj çdo oferte që u kanë bërë institucionet e Kosovës. Pas Letrës së liderëve të Kosovës për kthim në shtëpitë dhe pasuritë e veta të gjithë të shpërngulurit, liderë serbë, në Radio Graçanicë u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë për të bojkotuar punësimin në institucionet e Kosovës. Këso thirrje ka bërë edhe deputetja serbe në Parlamentin e Kosovës, Rada Trajkoviqi.

Në ndonjë rast ka pasur përpjekje, nga ndërkombë¬tarët, për të vënë shenja barazuese mes “pushtetit” “fiktiv” paralel të shqiptarëve në vitet e ’90-ta me atë serb të pas luftës çlirimtare në Kosovë. Pa hyrë në esencën e dallimeve të këtyre barazimeve të paqëndrueshme dhe keq-dashëse, mendoj se duhet sqaruar një çështje më shumë se dalluese. Pushteti “paralel” i shqiptarëve të Kosovës jo vetëm që ka qenë fiktiv, por edhe si i tillë ishte i imponuar. Ai organizim për mbijetesë ka ardhur pas gati 90 vjetëve të administrimit të dhunshëm, pushtues dhe jodemokratik për shumicën e qytetarëve të Kosovës. Ndërsa pushteti paralel serb në fakt është vazhdim i admi¬nistratës së dhunshme serbe në Kosovë. Administratë, që administrata e UNMIK-ut s’ka mundur ta integrojë e as ta shpërndajë, për çka ka qenë e obliguar me të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare. Institucioneve të Kosovës nuk iu është dhënë kohë dhe as hapësirë për të treguar vlera demokratike dhe integruese. Ato (institucio¬net e Kosovës) shpesh gjenden padrejtë¬sisht në bankën e zezë.

Tani natyrshëm mund të shtrohet pyetja: Cilat janë pasojat e këtij pushteti paralel dhe të kësaj administrate të huaj në Kosovë?

I përdora sintagmat pushtet paralel dhe administratë e huaj në Kosovë, se i hasim të dyja në Kosovë, diku së bashku, diku ndaras e në bashkëveprim më administratën e UNMIK-ut. Në Kosovën e përtej Ibrit bashkëjetojnë së bashku, ndërsa në enklava bashkëjetojnë pushteti i UNMIK-ut me administratën në fjalë. Edhe në Kosovën e përtej Ibrit bashkëjetojnë dy pushtetet, ai i Serbisë me këtë të UNMIK-ut, por faktik është i pari, ndërsa i dyti e legalizon dhe legjitimon atë. Kjo administratë në Kosovë jep pasaporta për qytetarët e Kosovës dhe dokumente tjera civile që i kërkon administrata e UNMIK-ut për të dëshmuar se filani a fisteku është qytetar i Kosovës, ani pse administrata ndërkombëtare ka bërë një regjistrim civil të qytetarëve në Kosovë. Me dokumentin e udhëtimit të UNMIK-ut dhe pasaportën serbe pas lufte është bërë një lojë politike, që një kategori e qytetarëve shqiptarë të Kosovës nuk e kanë parë ose nuk kanë dashur ta shohin. Ndoshta “nevoja (skamja) të çon në derë të hasmit”, thotë një fjalë e popullit. Skamja është pasojë e politikës ekonomike që udhëhiqet pas lufte në Kosovë.

T’iu kthehemi pasojave të pushtetit paralel në Kosovë. Pasojat e veprimit të pushtetit paralel serb në Kosovë janë komplekse dhe me pasoja të shumta për proceset demokratike që zhvillohen në Kosovë dhe në Evropën Juglindore. Unë nuk do të flas për të gjitha pasojat. Pasojat e pushtetit paralel serb në Kosovë do t’i ndaj në tri grupe:

Pasoja më të lehta ka administrata e UNMIK-ut, e cila në bazë të Rezolutës 1244 të KS ka qenë e obliguar që në tërë territorin e Kosovës të vendosë një admi¬nistratë të re e të pranueshme për të gjithë. Kjo nuk ka ndodhur. Këtë nuk e ka arritur edhe për faktin se ka toleruar në hapësira të caktuara të Kosovës veprimin e strukturave administrative dhe të tjera (të hapta e të fshehta) të regjimit serb në Kosovë. Ato struktura edhe pse kanë bërë krime në Kosovë, nuk janë ndjekur, përkundrazi janë toleruar. Me këtë tolerim janë arritur dy efekte negative:

– Te qytetarët serbë të Kosovës ka krijuar iluzione të rrejshme, se mund të pengohen proceset dhe të rikthehet historia e dhunës dhe e gjenocidi serb. UNMIK-un në vazhdimësi e kanë parë si administrim të huaj dhe armiqësor.

– Te shqiptarët ka shtuar urrejtjen për çdo gjë që lidhet me regjimin e pushtuesit serb në Kosovë, ndërsa për UNMIK-un në vazhdimësi janë duke e humbur besimin, është fjala për shqiptarët si shumicë.

Pasoja, mjaft të rënda, kanë proceset e zhvillimit ekonomik, të demokracisë, të sundimit të ligjit dhe siguria. Pushteti paralel, nga shumica e qytetarëve të Kosovës vlerësohet dhe shikohet si pengesa më serioze për proceset pozitive dhe shtetin e pavarur të Kosovës. Pasojat më të rënda po iu shkaktohen shumicës së qytetarëve në Kosovë.

Pasojat më të rënda janë për qytetarët serbë të Kosovës. Këta të fundit, duke qenë peng i politikës dhe filozofisë mitomaniste serbe që Kosovën e sheh “zemër” e “djep” të Serbisë, i shkëput ata nga koha dhe realiteti i ri i krijuar jo vetëm me flijimet e shumta të qytetarëve të Kosovës, por edhe me angazhimin ushtarak të NATO-s dhe të tërë komunitetit ndërkombëtar. Qytetarët serbë të Kosovës duhet të dinë se shteti i pavarur i Kosovës nuk do të ndërtojnë mur me Serbinë, siç kishte ndërtuar Beogradi mes Kosovës dhe Shqipërisë për gati një shekull. Serbët në përgjithësi, e ata të Kosovës në veçanti, duhet të kuptojnë se nuk është as në interesin e tyre t’i mbajnë peng proceset pozitive dhe se këto procese nuk mund t’i pengojnë gjatë.

Sigurisht që ka edhe pasoja të tjera që shkakton pushteti paralel serb në Kosovë, që nga shumica e qytetarëve të Kosovës shikohet si pushtet i mbeturinave të regjimit të Millosheviqit dhe i politikës tradicionale e ekspansioniste serbe në përgjithësi. Eliminimi i këtyre mbeturinave të huaja në Kosovë do të krijonte hapësira të reja, siguri dhe qarkullim të lirë për qytetarët serbë të Kosovës dhe për gjithë të tjerët. Prandaj shpërbërja e këtyre mbeturinave duhet të jetë qëllim që kërkon angazhim të përbashkët mes administratës së UNMIK-ut, institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve serbë të Kosovës. Qëllimi dhe angazhimi i përbashkët vazhdon të mungojë edhe tani e gjithë ditën në Kosovë.