Jakup Krasniqi ankohet për presion

Jakup Krasniqi thotë se në Drenas procesi i votimit po përcillet me të shtëna armësh dhe presion mbi vëzhguesit e Iniciativës Qytetare, tre nga të cilët, pa asnjë arsye, sipas tij, janë shoqëruar në stacionin policor.

Lajme

03/11/2013 13:36

Jakup Krasniqi sot pasdite ka arritur në Drenas për t’i dalë në mbështetje Iniciativës Qytetare, e cila sipas tij, po përballet me presion nga struktura të caktuara në këtë komunë.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, në një deklaratë për lajmi.net thotë se në Drenas ka pasur edhe të shtëna armësh dhe presion mbi vëzhguesit e Iniciativës Qytetare, tre nga të cilët pa asnjë arsye janë shoqëruar në stacionin policor.

“Sipas informacioneve të mia, vendvotimet nuk janë duke funksionuar ashtu siç duhet”.

“Parregullsitë më të mëdha janë këto: që nga mëngjesi e deri më tani disa vëzhgues të Iniciativës, pa asnjë arsye, janë dërguar në polici për shkak se ata kanë vërejtur parregullsi të një anëtari të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ka imponuar të votojë sipas vullnetit të tij e jo sipas vullnetit të qytetarëve. Ata kanë shkuar që ta deklarojnë një gjë të tillë në Polici, ndërsa pa arsye janë mbajtur më shumë se 3 orë”.

“Numri i caktuar nga prokuroria për t’i lajmëruar parregullsi nuk është duke punuar”.

“ Unë tash jam duke hyrë në Drenas, është raportuar se ka pas të shtëna armësh ndërsa policia ka

heshtur. Unë them se edhe policia dhe prokuroria janë të përfshirë në manipulime të votës, realisht me këtë rrezikohet vota dhe vullneti i qytetarëve”.

“Unë këtë e shoh si presion ndaj iniciativës dhe vullnetit të qytetarëve”.