Jahjaga themeloi Komisionin për Demarkacionin, këta janë ekspertët

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot nënshkroi vendimin për themelimin e komisionit ad-hoc të ekspertëve ndërkombëtarë, që do të vlerësojnë procesin e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Lajme

15/03/2016 15:18

Ky komision vlerësues, që fillon sot punën, është i përbërë nga tre ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania e Madhe. Këta ekspertë në javët në vijim do të bisedojnë me të gjithë akterët politikë dhe institucionalë për procesin e demarkacionit, do të shqyrtojnë dokumentacionin dhe do të zhvillojnë vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi.

Puna e ekspertëve do të përmbyllet me vlerësimin e procesit të demarkacionit dhe procedurave që janë ndjekur në atë rast. Vlerësimi do t’i dorëzohet Presidentes Jahjaga, pranë Zyrës së të cilës vendoset ky komision.

Komisioni vlerësues themelohet me iniciativën e Presidentes Jahjaga, pas shqetësimeve të ngritura rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror.

Presidentja Jahjaga ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike, institucioneve dhe qytetarëve, të bashkëpunojnë me ekspertët ndërkombëtarë, për t’i mundësuar komisionit një vlerësim të saktë dhe gjithëpërfshirës të procesit të demarkacionit.

Anëtarët e Komisionit:

Fletcher M. Burton, diplomat i lartë amerikan në pension, ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Ballkan. Pozita e tij e fundit ka qenë ambasador dhe shef i Misionit të OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë viteve 2011 deri në vitin 2014. Ai është angazhuar në Kosovë prej mesit të viteve 1990. Ai ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë bisedimeve Prishtinë-Beograd në vitin 1998 dhe ka shërbyer si zëvendësshef i Zyrës së SHBA-së në Prishtinë gjatë 2001 dhe 2002. Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai ka qenë pjesë e ekipit shumëkombësh që themeloi Zyrën Civile Ndërkombëtare, ku ai më pas shërbeu si Zëvendës Përfaqësues Civil Ndërkombëtar nga 2008-10. Në vitin 2009, z. Burton ka mbikëqyrur përpjekjet për përcaktimin e kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë. Z. Burton ka përfunduar studimet universitare nga Amherst College dhe studimet postdiplomike në Universitetin Princeton, si dhe ka studiuar me Fulbright në Gjermani.

Dr. Ing. Herbert Wilmes është shtetas gjerman. Ai ka diplomë universitare në gjeodezi, doktoraturë në gjeodezi nga Universiteti i Bonit dhe është vlerësues i hartave topografike. Z. Ëilmes ka punuar si ndihmës ligjërues në Institutin për Gjeodezi Teorike në Universitetin e Bonit (1976-1982), si shkencëtar kërkimor në Institutin e Kërkimeve Gjeodezike Gjermane (DGFI) në Mynih dhe më pas në Agjencinë Federale për Hartografi dhe Gjeodezi në Frankfurt. Nga viti 1998-2015 ka shërbyer si anëtar i komisioneve të përhershme të kufijve me shtetet fqinje Austrinë, Republikën Çeke, Holandën dhe Poloninë si dhe si këshilltar teknik në çështje vlerësuese për kufijtë me Belgjikën, Luksemburgun, Francën, Zvicrën dhe Danimarkën. Në korrik të vitit 2015 është pensionuar nga shërbimi aktiv.

Fred Newton ka shërbyer për 25 vjet në policinë e porteve dhe të kufijve tokësorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të botës. Ai ka qenë përgjegjës dhe zyrtar kryesor që në emër të Komitetit të Shoqatës së Shefave të Policisë dhe të Komitetit Këshillues ka koordinuar masat kundër terrorizmit në portet dhe kufijtë tokësorë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Ai po ashtu ka qenë anëtar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kryeministrit britanik, dhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Aviacionit dhe Sigurisë Detare. Ai ka këshilluar rregullisht qeveritë e vendeve të ndryshme për sigurinë dhe menaxhimin e integruar të kufijve. Neëton është i njohur si ekspert evropian për menaxhimin e kufijve dhe ka punuar me Komisionin Evropian në këto çështje. Ai ka hartuar memorandume të mirëkuptimit për bashkëpunimin ndërkombëtar në menaxhimin e kufijve.