Jahjaga: Shqipëria na ndihmoi ta realizojmë ëndrrën për pavarësi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka falënderuar popullin shqiptar për gjithë ndihmën që i ka dhënë Kosovës.

Lajme

10/09/2015 16:20

Sipas Jahjagës, Shqipëria ka ndihmuar shqiptarët e Kosovës që të realizojnë ëndrrën e tyre për pavarësi.

Presidentja e vendit nuk ka lënë pa përmendur kohën kur ishte fëmijë ka kërkuar valët e TVSh-së që ta njihte më shumë Shqipërinë, por siç ka thënë, të dëgjoje këto valë ishte e rrezikshme.

“Njohja e parë ndodhi në kohët më të errëta në kohën kur u detyruam që t’ia kthejmë shpinën atdheut. Dyert e juaja u hapën për ne në kohën më të vështirë”, tha Jahjaga.

Edhe pas luftës, sipas saj, Kosova e ka gjetur veten të mbështetur tek Shqipëria “që të bëhet zot i vetes”.

“Pa Shqipërinë Kosova nuk do të ishte ajo që është sot, as Shqipëria pa Kosovën nuk do ishte e tillë”, tha Jahjaga.