Jahjaga shkruan Blog: Mos bëni krahasime të sirianëve me kosovarët

Presidentja Atifete Jahjaga fton Qeverinë që të strehojë një numër refugjatësh sirianë në Kosovë, si dhe i adreson disa prej shqetësimeve të ngritura rreth kësaj ideje, si ato rreth mundësive të shtetit për të ndihmuar, apo çështjen e sigurisë.

Lajme

07/10/2015 23:55

Në sbunker ajo ka shkruar se është plotësisht e papranueshme që të bëhet krahasimi mes refugjatëve që kërkojnë shpëtim nga lufta dhe qytetarëve të Kosovës që kërkojnë një perspektivë më të mirë.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se sa i përket aspektit të sigurisë, Kosova ka dëshmuar që ka institucione kredibile për të ruajtur sigurinë kombëtare të saj dhe aleatëve të saj.

Ja shkrimi i saj i plotë:

Për refugjatët sirianë

Në javët e fundit kryeqendrat evropiane janë përballur me debate të ashpra të nxitura nga vala më e madhe e refugjatëve që ka përfshirë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore rreth akomodimit të tyre, resurseve për t’iu dalë në ndihmë, ndarjes së përgjegjësisë mes shteteve të ndryshme për mirëqenien e refugjatëve, por edhe rreth çështjeve të politikës së brendshme të emigrimit.

Kemi parë përgjigje të ndryshme ndaj kësaj krize. Disa vende kanë barrikaduar kufijtë e tyre dhe kanë marrë masa ekstreme për të ndaluar hyrjen e refugjatëve. Të tjera shtete i kanë lënë refugjatët të ngujuar me ditë, në shi dhe në baltë, në tokën e askujt. Disa liderë botërorë kanë hapur simbolikisht shtëpitë e tyre për t’i pranuar refugjatët. Të tjerë e kanë tejkaluar përkrahjen simbolike duke ndërtuar një ambient miqësor për njerëzit e dërmuar nga lufta. Por, mbi të gjitha, më kanë bërë përshtypje evropianët e zakonshëm që janë vënë në siklet nga trajtimi politik i një çështje krejtësisht humanitare duke tejkaluar shpesh qeveritë e vendeve të tyre për të bërë gjënë e duhur – për t’i strehuar dhe ndihmuar refugjatët.

Gjatë kësaj kohe mësuam po ashtu që nuk ka një përgjigje të vetme për t’u përballur me këtë krizë. Por, kuptuam që resurset dhe veprimet duhet të jenë të përbashkëta. Ndonëse Republika e Kosovës deri më tani nuk ka qenë vend transit e as vend pranimi për refugjatët sirianë, kur kam biseduar me Qeverinë e Kosovës për mundësitë tona të akomodimit për t’ju dalë në ndihmë kësaj kategorie, kam besuar thellë në një sentiment dhe nevojë që ndjejnë qytetarët tanë për t’u solidarizuar me refugjatët, edhe përkundër resurseve tona të kufizuara. Ishte njëkohësisht thirrje për mobilizim në emër të humanizmit dhe për ndarje të përgjegjësisë. Mbes thellësisht e bindur se Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet ta injorojë ose t’ia mbyllë dyert kësaj tragjedie njerëzore.

E dimë sa vështirë është të jesh refugjat. Vuajtja e refugjatëve sirianë është përjetim shumë i afërt për 900 mijë kosovarë që vetëm 16 vite më parë kishin marrë një rrugë të ngjashme kur kishin braktisur me forcë shtëpitë e tyre dhe ishim nisur shpesh në një udhëtim tronditës drejt të panjohurës. Shumica ishin akomoduar në Shqipëri dhe Maqedoni, të dyja ndër vendet më të varfra të Evropës. Dyert për ne ishin hapur edhe në shtetet tjera të Evropës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e deri në Izrael e Australinë e largët.

Si refugjatë, ne ishim pasojë e luftës. Shkaku pse ne kishim lëshuar shtëpitë tona ishte lufta dhe spastrimi etnik si mjet i asaj lufte. Këtë e dëshmon edhe kthimi ynë i menjëhershëm në shtëpitë tona në momentin kur lufta përfundoi, kur injoruam planet e elaboruara të organizatave humanitare, sepse nuk na pritej të ktheheshim për të nisur rindërtimin e shpejtë të Kosovës. I kam dëgjuar dy shqetësime rreth pranimit të refugjatëve sirianë në Kosovë. Si kërkojmë t’i pranojmë refugjatë, kur ne ende jemi vend i origjinës së tyre? Cilat janë implikimet e sigurisë për vendin tonë?

Është e vërtetë që resurset tona të kufizuara përbëjnë sfidë, dhe kjo është arsyeja përse kam kërkuar nga Qeveria që të gjejmë modalitetet dhe t’i shohim mundësitë që t’i funksionalizojmë hapësirat që i kemi në dispozicion për t’i ndihmuar refugjatët me aq sa kemi dhe me aq sa mundemi. Por, është plotësisht e papranueshme që të bëjmë krahasimin mes refugjatëve që kërkojnë shpëtim nga lufta dhe qytetarët tanë që kërkojnë një perspektivë më të mirë. Ndërsa në aspektin e sigurisë, Kosova ka dëshmuar që ka institucione kredibile për të ruajtur sigurinë kombëtare të saj dhe aleatëve të saj.

Refugjatët sirianë kanë bërë një udhëtim të gjatë deri në brigjet e Ballkanit dhe kufijtë tanë. Janë shpesh familje që vijnë nga qytete që po bombardohen që katër vite. Familje që kanë vuajtur për bukë. Njerëz që iu është rrënuar tërësisht sistemi i tyre i përkrahjes. Qytetarë që përfundimisht i ka dështuar shteti i tyre.

Bota, dhe ne si pjesë e saj, nuk mund t’i zhgënjejmë./ përfundon Jahjaga.

Ndryshe, Sbunker është bllog.

Si projekt i Lëvizjes Fol, është nisur nga një grup entuziastësh të fjalës së shkruar, mendimit kritik e debatit, me qëllim që të ndikojë drejtpërdrejt në rindërtimin e sferës publike në Kosovë, e ndër shqiptarë.

Sbunker është projekt joprofitabil që mbështetës ka Civil Right Defenders, Ambasada Amerikane në Prishtinë, Kompania Trembelat, Rrjeti Ripost, si dhe shumë individë./ lajmi.net