Jahjaga pritet të jetë më e prerë

Presidentja Jahjaga duket se do të jetë më e prerë në veprime gjatë kësaj jave, pasi që është bërë e ditur se nesër ajo do t`i presë në tavolinën e saj propozimet e liderëve të partive politike.

Lajme

06/10/2014 21:27

Presidentja Jahjaga duket se do të jetë më e prerë në veprime gjatë kësaj jave, pasi që është bërë e ditur se nesër (të martën ajo do t’i presë në tavolinën e saj propozimet e liderëve të partive politike për daljen nga kriza institucionale. Ndërkohë, analistë politikë insistojnë në fuqizimin e rolit të Presidentes në bazë të mandatit të saj kushtetues.

Presidentja e shtetit nesër do t`i presë në tavolinën e saj propozimet e liderëve të partive politike, ku përmes këtyre propozimeve synohet dalja nga bllokimi i situatës politike aktuale në Kosovë, mëson RTK nga burime të saj.

Por cilat janë zgjidhjet që mund të çojnë në zhbllokimin e situatës në vend.

Analisti Naim Rashiti thotë për RTK se presidentja Jahjaga tashmë ka vetëm një zgjidhje, dhe ajo, sipas tij, është takimi i përbashkët i të gjitha partive politike, si dhe kryesuesja e seancës ta thërrasë seancën dhe të ketë debat të hapur.

“Jemi shumë larg zgjidhjes, Presidentja ka një zgjidhje: t’i thërrasë partitë në tavolinë nesër. Duhet t’i thërrasë partitë për dakordim për seancë dhe kjo seancë të ketë agjendë të hapur deri në zgjidhjen e situatës politike dhe blloku të pranojë të ulet me PDK-në për zgjidhje. Blloku pavarësisht mbledhjes se nënshkrimeve dhe qasjes nuk do të rrezikojnë me u futë në votim përsëri. Flora Brovina duhet të thërrasë seancën dhe të debatohet dhe blloku duhet të ulet me PDK-në, ndryshe nuk ka zgjidhje”, vlerëson ai.

Por, në rast të dështimit të ndonjë marrëveshjeje, a mund ta shpie vendin në zgjedhje presidentja Atifete Jahjaga.

“Presidentja e ka të drejtën kushtetuese pa e pyetur askënd ta çojë vendin në zgjedhje. Këta të zgjedhur që janë deputetë sot janë të zgjedhur përfaqësues dhe nuk janë të zgjedhur legjislativ dhe mu për këtë Presidentja mund të dërgojë vendin në zgjedhje pa i pyetur partitë politike”, tha Rashiti.

Ndërsa, Shpend Kursani thotë se ka disa zgjidhje që mund të bëhen për të dalë nga kriza aktuale politike.

“Janë disa zgjidhje për të dalë nga kriza. Ose të gjendët një zgjidhje jashtë Kushtetutës dhe atyre neneve, ku Kushtetuta është e padrejt, sepse ne shumë raste Kushtetuta është e padrejt, ose zgjidhja tjetër mund të bëhet të lëshojnë pe njëra palë, ose PDK-ja ose Blloku në disa instanca, por duket se këta s’po lëshojnë pe”.

Kursani daljen nga ky bllokim aktual e sheh edhe përmes dorëheqjes së presidentes Atifete Jahjaga.

“Në qoft se presidentja po e sheh që liderët, nuk po mendoj për shtetin por për pushtetin, atëherë Presidentja mund të veprojë si një shtetase, duke mos menduar për pushtetin dhe të jep dorëheqje t`i ja lëshojë këtë post Isa Mustafës, të zgjidhet kryepalmentari i PDK-së dhe pastaj një konstelacion qeveritar ta gjeje një pozitë pë Presidenten. Natyrisht që këto kalkulime politike nuk i sugjeroj, por nëse Presidentja dëshiron zgjidhje, atëherë si një shtetase edhe ajo në bazë të Kushtetutës mund të japë dorëheqje”, mendon Kursani.