Jahjaga pritet nga ministri i Çështjes Strategjike të Brazilit

Presidentja Jahjaga u takua sot me ministrin për Çështjet Strategjike të Brazilit, Marcelo Cortes Neri, me të cilin bisedoi për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Lajme

02/04/2014 18:06

Presidentja Jahjaga në këtë takim me ministrin për Çështje Strategjike të Brazilit, Marcelo Cortes Neri, tha se Republika e Kosovës synon anëtarësimin e plotë të saj në organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në BE, NATO dhe në OKB.

Jahjaga tha se njohja e pavarësisë së Kosovës është e rëndësishme për vendin, sepse kontribuon në konsolidimin ndërkombëtar të saj dhe promovon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe më gjerë.

Njohja nga Brazili dhe një pjese të vendeve të rajonit të Amerikës Qendrore dhe Jugore është e rëndësishme, ka theksuar presidentja, duke kërkuar që këto vende të shqyrtojnë qëndrimin ndaj Kosovës.

Në anën tjetër ministri i Çështjeve Strategjike i Brazilit, Marcelo Cortes Neri, theksoi se vendi i tij po përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit dhe tha se do të përçojë tek Presidentja dhe institucionet e Brazilit argumentet e Kosovës për njohjen e saj.