Jahjaga pranon rezultatet, pritet të caktojë datën e konstituimit të Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me tu certifikuar rezultatet, pret që së shpejti do të marr vendim për caktimin e një date për mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

04/07/2014 19:47

Pas certifikimit të rezultateve, KQZ i ka dërguar ato presidentes Jahjaga, e cila e ka të drejtën të shpallë datën për mbledhjen konstituive të kuvendit.

Në një komunikatë nga presidenca, thuhet se Jahjaga është e përkushtuar që të ketë një përmbyllje sa më demokratike të procesit zgjedhor.

“Presidentja e Republikës se Kosovës ka pranuar sot certifikimin zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend. Presidentja Jahjaga e vlerëson punën profesionale të KQZ-së dhe përkushtimin institucional për përmbylljen me sukses të një procesi përgjithësisht të drejtë, demokratik, të ndershëm dhe gjithëpërfshirës”.

“Me certifikimin zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve është hapur rruga për ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe presidentja Jahjaga, duke respektuar afatet ligjore dhe bazuar në kushtetutën e vendit në ditët në vijim do të marrë vendimin për caktimin e një date për mbajtjen e mbledhjes konstitutive të Kuvendit të ri të Kosovës”.

“Presidentja Jahjaga thekson domosdoshmërinë e përmbylljes me sukses të procesit të rëndësishëm për Kosovën dhe vazhdimin e përmbushjes së aspiratës së popullit të Kosovës në ndërtimin e një shteti të së drejtës, demokratik e gjithëpërfshirës që do të hap rrugën e integrimeve evropiane”, thuhet në komunikatën e presidencës.