Jahjaga : Nuk pendohem që mbrojta Shyhrete Berishën

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga foli për herë të parë lidhur me padinë për shpifje që i është bërë nga familja e Shyhrete Berishës.

Lajme

22/02/2018 21:33

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Jahjaga u pyet se a është penduar lidhur me mbrojtjen publike që i ka bërë Shyhrete Berishës.

“Absolutisht që jo, hiç, asnjë grimë. Jo vetëm rasti i Shyhretes por gjithsecila grua e cila po ballafaqohet me diskriminim kanunor dhe patriarkal të kësaj shoqërie, e ka pasë dhe do ta ketë mbështetjen dhe përkrahjen time të pakursyer dhe maksimale”, tha Jahjaga.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës ndaj familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

Jahjaga po ashtu foli për përjetimet e saj në takimet me Berishën.

“Kjo grua ka dhënë shumë, ka humbur shumë, ka humbur fëmijët e saj dhe bashkëshortin e saj dhe ne si shoqëri nuk mund të sillemi me një qasje mospërfillëse… Ende pa rënë në vend dheu mbi varrin e tyre (familjes së saj), kjo grua të ballafaqohet me një të drejtë që i takon me një të drejtë ku kjo ka qenë bashkëndërtuese”, tha Jahjaga.

Përballë Jeta Xharrës, Jahjaga  po ashtu flet për disa nga vendimet më të rëndësishme që ka marrë si Presidente dhe detaje të pazbuluara më parë të kohës sa ishte në udhëheqje./Kallxo.com