Jahjaga nga Presidenca në krye të AKI-së

Presidentja, Atifete Jahjaga është duke e menduar seriozisht që të lë postin e të parës së shtetit, për të kaluar në një post tjetër udhëheqës të rëndësishëm të vendit.

Lajme

25/01/2015 13:52

Këtë gjë e ka konfirmuar në kushte anonimiteti për lajmi.net një diplomat perëndimor i cili vepron në Prishtinë. Ndërsa, zyra e Presidencës nuk e ka mohuar, duke thënë se nuk dëshirojnë të komentojnë. 
 
Ky burim ka thënë se presidentja Atifete Jahjaga është duke e menduar seriozisht që të japë dorheqje nga posti i Presidentes së vendit dhe të kalojë në krye të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI).
 
Ky diplamat bën të ditur që tashmë Presidentja është konsultuar dhe ka kërkuar mbështetjen edhe nga faktorë ndërkombtarë që veprojnë në Kosovë, si dhe nga partnerët e koalicionit qeverisës (PDK-LDK). Për këtë veprim të mundëshëm të presidentes Jahjaga janë në dijeni edhe Mustafa dhe Thaçi. 
 
Vendimin pritet ta marrë ajo në ditët në vijim. Kjo është edhe arsyeja pse nuk është përmendur asnjë emër për udhëheqës të AKI-së që nga koha kur ka dhënë dorëheqje Bashkim Smakaj.
 
I njëjti burim bën të ditur se është diskutuar edhe një mundësi tjetër, edhe në rast se emërohet tani kreu i AKI-së, të bëhet marrëveshje që kreu i ri të japë dorëheqje në mars të vitit 2016, në mënyrë që t’i krijohet mundësia Jahjagës që pas përfundimit të mandatit të Presidentes të emërohet në krye të intelegjencës kosovare.  
 
Në anën tjetër, lajmi.net ka marrë edhe prononcimin zyrtarë të Presidencës, të cilët nuk e kanë mohuar këtë lajm, por kanë thënë se nuk dëshirojnë ta komentojnë, pasi e cilësojnë informacion hipotetik. 
 
“Zyra e Presidentes nuk i komenton informacionet hipotetike të mediave dhe spekulimet e tyre. Presidentja Jahjaga ka mandat kushtetues 5 vjeçar, deri në prill të vitit 2016. Dhe ajo është e përqendruar në kryerjen e detyrave të saj kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë për lajmi.net, Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes Jahjaga.
 
Por, mësohet se një gjë është e sigurt që presidentja Jahjaga pas përfundimit të mandati të presidentes nuk dëshiron në asnjë mënyrë të kthehet në vendin e mëparshem të punës, në Policinë e Kosovës. (lajmi.net)