Jahjaga në SHBA, flet për Ushtrinë e Kosovës

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar Laura Cooperin, zëvendës sekretare amerikane e Mbrojtjes për Rusi, Ukrainë, dhe Euroazi.

Lajme

11/04/2018 20:01

Me Cooperin, Jahjaga ka biseduar për zhvillimet në vend, me theks të veçantë në proceset e sigurisë, bën të ditur një njoftim nga zyra e Jahjagës.

“Presidentja Jahjaga falënderojë zëvendës sekretaren Cooper për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve gjatë proceseve të ndryshme shtetndërtuese të Kosovës dhe theksoi nevojën e përgjithshme për një angazhim më të madh evropian dhe amerikan që do t’i ndihmonte shtetet e rajonit në konsolidimin e demkracisë dhe sundimin e rendit dhe ligjit– në kuadër të integrimeve euro-atlantike”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua rreth procesit të transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, me ç’rast Presidentja Jahjaga kërkojë ndihmën e SHBA-ve dhe mbështetje të mëtutjeshme. Cooper rikonfirmoi gatishmërinë e SHBA-ve për përkrahjen e Kosovës gjatë proceseve në fushën e sigurisë, duke theksuar se procesi i tranformimit të FSK-së në ushtri duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës”, thekson njoftimi.