Jahjaga në inaugurimin e Presidentit të Hondurasit

Presidentja Jahjaga po qëndron në Honduras me ftesë të Presidentit Juan Orlando Hernández Alvarado, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial, ku do të marrin pjesë edhe një numër i presidentëve dhe përfaqësuesve të shteteve të ndryshme.

Lajme

27/01/2014 08:18

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot në Tegucigalpa, me presidentin zgjedhur të Republikës së Hondurasit, Juan Orlando Hernández Alvarado.

Presidentja Jahjaga po qëndron në Honduras me ftesë të Presidentit Juan Orlando Hernández Alvarado, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial, ku do të marrin pjesë edhe një numër i presidentëve dhe përfaqësuesve të tjerë të shteteve të ndryshme, kryesisht të Amerikës Qendrore dhe Jugore, njofton Presidenca e Kosovës.

Presidentja Jahjaga e ka përgëzuar Presidentin Juan Orlando Hernández Alvarado për zgjedhjen e tij dhe e ka falënderuar atë për ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial.

Jahjaga ka vlerësuar marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy shteteve ndërsa ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Presidentja Jahjaga ka thënë se Kosova është shtet i pranuar ndërkombëtarisht, që po kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal dhe është një promotor i fqinjësisë së mirë.

“Republika e Kosovës po konsolidon subjektivitetin e saj ndërkombëtare dhe po synon anëtarësimin në të gjitha institucionet ndërkombëtare, në BE, NATO dhe në OKB”.

“Ndihma e Hondurasit në procesin e njohjeve të pavarësisë, në veçanti në pjesën e Amerikës Qendrore do të ndihmonte në vazhdimin e procesit të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës”.

Nga ana e tij, Presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernández Alvarado, ja vlerësuar marrëdhëniet e shtetit të tij me Republikën e Kosovës ndërsa ka theksuar se vendi i tij po i përcjell nga afër të gjitha zhvillimet në rajonin e Evropës Juglindore.

“Hondurasi do të bëjë çdo gjë për të ndihmuar përparimin e Kosovës dhe avancimin e procesit të njohjeve në Amerikën Jugore dhe në organizata ndërkombëtare”.