Jahjaga merr ftesë zyrtare për hapjen e Olimpiadës “Rio De Zhaneiro 2016”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim kryetarin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), zotëri Thomas Bach, i shoqëruar nga një delegacion i lartë i KON-it, të cilit i ndau Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e tij për sportin e Kosovës dhe pranimin e saj anëtare të barabartë të KON.

Lajme

17/04/2015 18:26

Presidentja Jahjaga e çmoi lartë angazhimin e zotëri Bach për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës dhe njohjen e saj në skenën ndërkombëtare, dhe vlerësoi se me pranimin e Kosovës në KON hapet perspektiva për të rinjtë e të rejat e Kosovës që të dëshmojnë talentin e tyre në skenën ndërkombëtare. Ajo tha se Kosova po konsolidohet ndërkombëtarisht dhe këtë po e dëshmon edhe pranimi i saj në familjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Kryetari i KON-it, zotëri Thomas Bach, tha se është i nderuar me pritjen që po i bëhet në Kosovë dhe vlerësoi rolin e presidentes e të institucioneve të vendit në avancimin e sportit të Kosovës. Ai tha se me pranimin e Kosovës në KON, është njohur edhe i gjithë aktiviteti i madh i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe i institucioneve përgjegjëse në fushën e sportit.

Zotëri Bach tha se pranimi i Kosovës në KON ndihmon vendin në konsolidimin e tij të brendshëm dhe të jashtëm dhe i bën bashkë të gjithë njerëzit në sport.

Kryetari i KON i ndau Presidentes Jahjaga medaljen e KON me të cilën shënohet krijimi i Lojërave Olimpike Ndërkombëtare, me të cilën nderohen krerët e shteteve dhe personalitete të jashtëzakonshme. Ai i bëri ftesë Presidentes Jahjaga që të marrë pjesë në hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike Veriore në Rio De Zhaneiro të Brazilit vitin e ardhshëm.

Në takimin me Presidenten Jahjaga ishin të pranishëm edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, zotëri Besim Hasani, përfaqësues të ministrive të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të Federatave të ndryshme të sportit të Kosovës.