Jahjaga: Kosova është një rrëfim i jashtëzakonshëm i shpresës (video)

Presidentja e Republikës së Kosovës ka marrë pjesë në nderimin e komandës së KFOR-it. Ajo e falënderoi komandantin në ikje, gjeneralin Salvatore Farina për kontributin, ndërsa i uroj mirëserardhje një tjetër gjenerali, Francesco Paolo Figliuolo-it.

Lajme

03/09/2014 15:58

Presidentja Jahjaga tha gjatë fjalës së saj se ndihej krenare që po gjendej pranë pjesëtarëve të forcës paqeruajtëse KFOR.

Ajo përgëzoi i përgëzoi oficerët, ushtarët e gjithë personelin ushtarak të KFOR-it për përmbushjen e misionit për vendosjen e themeleve të forcimit dhe demokracisë në Kosovë.

“Secili nga ju do të jetë pjesë e historisë së Kosovës. Shpresoj se do ta mbani Kosovën në zemër dhe se do ta mbani mend si një shtëpi larg shtëpisë suaj. Ne me siguri se do t’i ruajmë miqësitë dhe urat e bashkëpunimit të cilat ju i keni ndërtuar gjatë qëndrimit tuaj këtu”.

“Të ndërtosh paqen në Kosovë nuk ka qenë aspak e lehtë. Në këtë përpjekje tonën, secili nga ju dhatë kontributin tuaj duke sjellë me vete një ndjenjë sigurie, paqeje dhe lirie, në mënyrë  që qytetarët e Kosovës të fillojnë të rindërtojnë të ardhmen e tyre të lirë nga shtypja dhe diskriminimi me të cilat u ballafaquan për shumë gjatë”.

“Kosova është një rrëfim i  jashtëzakonshëm i shpresës. Ne do të sigurohemi që ajo të mbetet gjithmonë e tillë”, tha Jahjaga, njofton një komunikatë e lëshuar për media nga zyra e Presidencës.

Tashmë ish-komandanti i KFOR-it, gjeneral Salvatore Farina, morri falënderime në emër të popullit nga presidentja Jahjaga.

Ajo e nderoi Farinën me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë teksa kujtoi se ky vit kishte shumë sfida për Kosovën ndërsa kjo kishte qenë e inkurajuar nga mbështetja dhe bashkëpunimi i KFOR-it me institucionet e Kosovës.

Mirëseardhja ishte për komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Francesco Paolo Figliuolo. Jahjaga e siguroi Figliuolo-n për punë të ngushtë drejtë “çimentimit të suksesit të përbashkët”, për të ruajtur trashëgiminë e ushtarëve në ruajtje të paqes.

Siç tha ajo, KFOR-i vazhdon të jetë institucioni më i vlerësuar duke besuar se ky besim do të ngritet nga Figliuolo duke përmbushur mandatin e tij për të siguruar një ambient të sigurt për kosovarët dhe lëvizjen e lirë për të gjithë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në integrimin e të gjithë qytetarëve në rendin politik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës dhe të punojmë bashkërisht në krijimin dhe forcimin e kapaciteteve të Kosovës për të qenë kontribuuese e sigurisë kolektive”

“Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë do ta sigurojmë prosperitetin e qytetarëve të vendit tonë, do ta garantojmë stabilitetin e tij, derisa me ngulm ndjekim dhe realizojmë vizionin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e familjes euroatlantike”, tha presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.