Jahjaga: Gratë nuk janë të barabarta në shoqërinë kosovare

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka thënë se nuk është bërë sa duhet për të garantuar të drejtat e barabarta të grave dhe vajzave në shoqëri.

Lajme

20/04/2015 12:40

Ajo këto deklarime i bëri në hapjen e konferencës, “A jam e barabartë në shoqërinë kosovare”.

“Pa hezitim them që Jo, ne nuk bëjmë aq sa duhet. Gratë dhe vajzat ende nuk kanë trajtim të barabartë në shoqëri. Është e vërtetë, kemi ndërtuar një infrastrukturë ligjore të avancuar, por kemi ende shumë punë për të bërë si institucione dhe si shoqëri që t’i jetësojmë ato në praktikë dhe vetëm atëherë ne mund të themi që Po, gratë dhe vajzat janë të barabarta në shoqërinë tonë ”- ka thënë Jahjaga.

aa

Ajo ka shtuar se rruga e përmbushjes së të drejtave të barabarta nuk është e lehtë dhe se barrierat vijnë që nga pritshmëria e familjes , komunitetit  dhe shoqërisë .

”Të jemi të qartë, këto barriera nuk ngadalësojnë vetëm avancimin e gruas dhe kufizojnë rolin që ajo luan në shoqëri. Këto barriera, në të njëjtën kohë, ngadalësojnë edhe ritmin e avancimit tonë të gjithmbarshëm si dhe kufizojnë progresin e të gjithë shoqërisë”, është shprehur presidentja.

Jahjaga ka ofruar mbështetjen e saj në fuqizimin e barazisë.

“Në mua keni pasur gjithmonë një përkrahëse të fuqishme dhe një aleate të fuqishme të promovimit dhe avancimit të rolit të gruas në çdo qelizë të shoqërisë sonë, sepse pjesëmarrja e gruas nuk mund të vërtetohet vetëm në tavolinat vendimmarrëse në nivelin qendror apo lokal, jo vetëm me pjesëmarrjen e saj në tregun e punës, jo vetëm me pjesëmarrjen e saj në pronë dhe trashëgimi, jo vetëm në qasjen në drejtësi, që ka qenë një qasje e domosdoshme deri më tash, por për të drejtën në shkollim”, tha ajo.

Në konferencë ka folur edhe eurodeputetja Ulrike Lunachek, duke potencuar

rëndësinë e punës së që po bënë Jahjaga në mandatin e saj si presidente, dhe duke e përgëzuar atë për punën që po bënë drejtë përfaqësimit të denjë të gruas kosovare.

Lunachek gjatë fjalës së saj ka shfrytëzuar rastin që Presidentes t’i urojë ditëlindjen.