Jahjaga: E gatshme të shpall datën e zgjedhjeve

Presidentja Atifete Jahjaga ka pritur sot tre liderët e partive politike, Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Behgjet Pacollin. Kanë munguar përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, e aty po ashtu nuk ka qenë as lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lajme

07/05/2014 12:32

Siç thuhet në kumtesën e lëshuar nga presidenca, takimi është mbajtur me kërkesën e liderëve politikë. Presidentja e vendit u ka thënë liderëve se ajo është e gatshme që kurdo që të shpërndahet Kuvendi, të përmbush obligimin e saj ligjor, duke shpallur datën e zgjedhjeve, pas konsultave që do të mbajë me përfaqësuesit e të gjitha partive politike.

“Kryetarët e tri partive politike parlamentare, zotëri Hashim Thaçi (PDK), zotëri Isa Mustafa (LDK) dhe zotëri Behgjet Pacolli (AKR), me kërkesën dhe iniciativën e tyre, janë takuar në sot në Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës për të diskutuar për kërkesën për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend”.

“Tre udhëheqësit e partive politike e informuan Presidenten Jahjaga për hapat e ndërmarrë për zgjidhjen e ngërçit politik në Kuvend dhe për qëndrimin e tyre që vendi të hyjë në procesin zgjedhor në një afat sa më optimal”.

“Presidentja Jahjaga u bëri me dije udhëheqësve të partive politike qëndrimin se veprimet e saj do të jenë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, se do të veprojë menjëherë pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për shpërbërjen e tij dhe se pas këtij vendimi të Kuvendit, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, do të ftojë të gjitha partitë politike në Kosovë për konsultime për përcaktimin e datës së zgjedhjeve”, thuhet të kumtesën e lëshuar nga presidenca.