Jahjaga: Festa e Pashkëve të na shërbej për reflektim të së ardhmes

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar një mesazh urimi Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Pashkëve.

Lajme

04/04/2015 14:22

Presidentja Jahjaga ka uruar që kjo  festë të shërbejë për të reflektuar për të sotmen dhe për të ardhmen.

Urimi i plotë i presidentes Jahjaga:

I nderuar Ipeshkv,

Të nderuar besimtarë,

Ju përcjell urimet e mia më të mira me rastin e Festës së Pashkëve. Dëshiroj që kjo festë, që shënon ringjalljen e shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjen e besimit te Zoti, t’ju gjejë mes miqsh e të dashurish, në paqe e gëzime.

Uroj që kjo festë të na shërbejë për të reflektuar për të sotmen dhe për të ardhmen tonë, të na shtojë vlerat njerëzore të dashurisë dhe të respektit për njëri-tjetrin.

Në këtë ditë, duke kujtuar të gjithë ata që nuk janë më mes nesh, të respektojmë jetën dhe vlerat e veprat e tyre, që na mundësuan të jemi këtu ku jemi sot.

Po kështu, le të na shërbejë kjo festë, për të treguar solidaritetin tonë me të gjithë njerëzit që kanë nevojë për ndihmën dhe respektin tonë. Shpirti human na ka përshkuar me decenie e shekuj, ta tregojmë atë edhe sot.

Në këtë ditë madhe, lutem për mirëqenie e dashuri mes njerëzish, për paqe për të gjithë njerëzimin.

Gëzuar!

Atifete Jahjaga,

Presidente e Republikës së Kosovës