Jack Wilshere, futbollisti më i pafat në botë

Sa herë që flisni për futbollistët që mund të konsiderohen si të pafat shkaku i lëndimeve të shpeshta, sigurisht që mendja fillimisht do t’ju shkojë te mesfushori Jack Wilshere.

Sport

02/02/2019 08:47

27 vjeçari, i cili cilësohej si ndër më të talentuarit të gjeneratës së tij, duke debutuar shumë i ri te Arsenal, po vazhdon të ballafaqohet me shumë lëndime.

Skuadra e tij aktuale, West Ham, ka frikën se për Wilshare ky sezon mund të cilësohet i përfunduar, në betejën e këtij të fundit për t’u shëruar nga lëndimet në kyçet e këmbeve.

Wilshere, verën e kaluar iu bashkua West Hamit nga Arsenali si lojtar i lirë, dhe pas katër ndeshjeve të para, në muajin shtator iu nënshtrua një operacioni pas një problemi të ri të shfaqur në kyçin e këmbës së majtë.

Është dashur shumë kohë që 27 vjeçari që kapërcejë këtë lëndim, dhe ai më në fund u rikthye në fushë më 1 dhjetor të vitit të kaluar duke u paraqitur vetëm në pesë minuta në fitoren 0-3 të West Ham United në udhëtim te Newcastle United.

Kjo ndeshje mbetet paraqitja e fundit e Wilshare për West Ham, që vazhdon të ankohet në dëmtimin e kyçit të këmbës së majtë.

Nuk ka asnjë tregues se kur do të rikthehet në fushë 27 vjeçari, e as nëse do t’u nënshtrohet operimeve të reja, por te West Ham mbeten të shqetësuar me situatën e tij, duke mos besuar se do të jetë i gatshëm për këtë sezon./Lajmi.net/