Jabllanoviqi u mban leksion politikanëve kosovarë

Kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, ka thënë se situata politike do të zgjidhet me një kompromis i cili do të jetë rezultat i "presionit" të huaj.

Lajme

16/11/2014 21:29

Ai ka thënë se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të injorohet në situata të tilla, sepse siç thotë ai, në fund “me qejf apo me zor do të bëhet si duan të huajt”. 

“Nëse ne e bëjmë qeverinë e cila nuk pëlqehet nga ata që financojnë proceset politike në Kosovë, atëherë aty s’do të ketë lumturi”, ka thënë Jabllanoviq për RTV21. 

“Për herë të parë pas pavarësisë kemi një situatë të tillë, që është një porosi e keqe për qytetarët e Kosovës e aq më tepër që dikush e ka hequr pavarësinë e mbikëqyrur dhe ne kemi katër apo pesë muaj pa qeveri”, ka thënë ai.

Jabllanoviq ka thënë se për t’u arritur një kompromis, liderët e partive duhet t’i lënë anash interesat politike.

“Për t’u arritur një kompromis duhet lënë anash të gjitha interesat politike”, tha ai.