Jabllanoviq po i paraqet problem Prokurorisë së Gjakovës

Ish-ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, ka thënë se hetimet që janë duku i zhvilluar ndaj tij, nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, kanë konotacion politik.

Lajme

14/05/2015 13:44

Jabllonoviq sipas kryeprokurores së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija,dyshohet për veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes, ose mosdurimit kombëtar, racor apo fetar.

Por, hetimet ndaj tij, ish-ministri për Komunitete dhe Kthim, i quajti politike.

“Unë besoj se kjo ka konotacion politik”, tha Jabllanoviq për KALLXO.com.

Shpresa Bakija bëri të ditur se Jabllanoviqit i është dërguar një ftesë tjetër për t’u marrë në pyetje më 22 maj.

Jabllanoviq tha se nuk e di nëse do të shkojë apo jo për marrje në pyetje në Prokurorinë e Gjakovës, pasi kjo, sipas tij, varet nga mundësitë që ia lejojnë obligimet e reja që i ka marrë.

Por kryeprokurorja Bakija u shpreh e vendosur për ta sjellë Jabllanoviqin në prokurori.

“Në rast se nuk do të paraqitet dhe ftesën e ka marrë në mënyrë të rregullt do të veprohet në bazë të dispozitave ligjore, të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, si me gjithë qytetarët tjerë të Kosovës”, tha Bakija.

Hetimet ndaj Jabllanoviqit lidhen me deklaratën e tij më 6 janar të këtij viti, teksa po vizitonte Manastirin e Zoçishtit në Rahovec për krishtlindjet ortodokse.

Atë ditë ish-ministri i quajti egërsira protestuesit në Gjakovë që penguan pelegrinët serbë të hyjnë në kishën ortodokse të këtij qyteti.

Kjo gjë shkaktoi protesta në fillim në Gjakovë, e pastaj edhe në qytetet tjera në të cilat u kërkua dorëheqja e Jabllanoviqit.

Udhëheqësi i Listës Serbe, tha se nuk ka bërë ndonjë gjë të keqe dhe nuk ndihet përgjegjës nëse familjarët në Gjakovë e kanë keqkuptuar. Ai edhe njëherë përsëriti se ka kërkuar falje ndaj familjeve.

Falje Jabllanoviq pati kërkuar më 19 janar, 13 ditë pas deklaratës së krishtlindjeve.

Më 23 janar në Prishtinë u mbajt protestë e dhunshme, ku kërkesa kryesore ishte shkarkimi i Jabllanoviqit. Kurse më 3 shkurt kryeministri Isa Mustafa njoftoi se Jabllanoviq nuk është më ministër në kabinetin e tij.