Jabllanoviq: Në kohën e masakrave në Gjakovë isha tinejxher (video)

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq ka thënë se ai nuk e ka idenë se në Kosovë ka pasur masakra në vitet 1998-99.

Lajme

12/01/2015 19:24

Jabllanoviq ka pohuar se nuk ka ofenduar nënat gjakovare, por ata që kanë gjuajtur me gurë, dhe se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje as të ndalet së përdoruri emërtimin “Kosovë dhe Metohi”.

Në emisionin “Interaktiv”, ai është shprehur se s’ka pasur si të dijë për masakrat në Gjakovë ngase asokohe ka qenë vetëm një tinejxher.

“Në kohën e luftës unë i kam pasur 17-18 vjet dhe në Gjakovë kurrë nuk më ka shkelur këmba. Nuk e di se si duhet të di atë që ka ndodhur. Për luftën duhet të flasin ata që e kanë përjetuar, që kanë qenë akterë”.

“Kjo ka ndodhur në kohën kur unë kam qenë tinejxher dhe ka pasur kaq shumë njoftime për krime sa që është e pamundshme që përnjëherë pas 15 vjetësh t’i kujtoni ato”, transmeton lajmi.net.

Por, “mosinformimi” i tij shkon aq shumë larg, sa që thotë se nuk di as se policia dhe ushtria serbe kanë bërë masakra në Kosovë.

“Nuk e di”, përgjigjet ai.

“Më besoni që nuk e di, në atë kohë që ka pasur luftime në vitin 1998-99 dhe në kohën e bombardimeve të NATO-s kam qenë në Leposaviq dhe para vitit 2002 e 2003 as që kam ardhur në Prishtinë”, ka shtuar Jabllanoviq.

I pyetur se a ka kërkuar kryeministri Mustafa shpjegime nga ky për deklaratën e lëshuar, Jabllanoviq ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se s’janë takuar për një gjë të tillë ngase kanë obligime si ministra për t’i rregulluar gjërat në ministritë që ka marrë.