Jabllanoviq: Egërsira nuk i kam quajtur nënat që humbën fëmijët në luftë

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq ka folur sot për herë të parë rreth deklaratave që pasuan protestën në Gjakovë.

Lajme

09/01/2015 14:04

Ai i kishte quajtur “egërsira” familjarët e personave të zhdukur shqiptarë, të cilët po mundoheshin ta pengonin vizitën e pelegrinëve serbë në këtë qytet me rastin e Krishtlindjes Ortodokse.

Jabllanoviq thotë në një intervistë për Radio “Dukagjini” se me ketë term nuk i ka quajtur qytetarët e Gjakovës, por disa që kanë hedhur gurë ndaj pelegrinëve serb.

“Nuk i kam quajtur me këtë term (egërsira) qytetarët e Gjakovës për të cilët kam respekt, por i kam quajtur disa njerëz të cilët me gurë i kanë gjuajtur autobusët me serbët që atë ditë donin të vizitojnë një shenjtore”, tha ai.

Në vlerësimin se kjo deklaratë e tij cilësohet urrejtëse, Jabllanoviq tha se nuk ka qenë i informuar për numrin e madh të viktimave të luftës në këtë qytet.

“Jo, jo unë kam respekt për viktimat nga njëra dhe ana tjetër dhe të jem i sinqertë nuk kam ditur për humbjet katastrofike që kanë ndodhur në Gjakovë gjatë bombardimeve. Këtë e kam mësuar pas kësaj deklarate nga disa miq shqiptarë”.

Jabllanoviq ka mohuar që me ketë deklaratë t’i jetë adresuar nënave që gjatë luftës kanë humbur fëmijët e tyre.

“Është fakt se unë vij nga një familje patriarkale, i edukuar në frymën që fillimisht ta respektoj nënën time, e më pas të gjitha nënat. Egërsira nuk i kam quajtur nënat që kanë humbur fëmijët në luftë”.

I pyetur se si një ministër i adresohet Kosovës me termin Kosovë e Metohi, Jabllanoviq tha se këtë ja zënë për të madhe vetëm disa njerëz. Për të bërë një paralele, thotë se Leposaviqin, prej nga ai vjen, disa institucione e quajnë Albanik.

“Çdokush ka të drejtë të përdor terminologjinë që e konsideron të drejtë. Kjo është një nga të drejtat themelore demokratike. Për ne, institucionet e Kosovës thonë që jemi kosovar, ne themi se jemi Kosovci, dhe këto janë dallimet e parëndësishme mes nesh.

Me rëndësi është që ne punojmë për pajtimin e dy popujve dhe kjo është detyrë kryesore e kësaj qeverie dhe hyrjes sonë në të”.

Jabllanoviq nuk sheh arsye për reagimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me deklaratat e tij të fundit, meqë, siç thotë, me një deklaratë nuk mund të ofendohet një qytet i tërë. Ai thotë se ka pasur për qëllim të ofendoj dhe quaj me emër përbuzës ata që kishin hedhur gurë mbi autobusin.