Ja si u nxorën nga shpella 12 sportistët e mitur në Tajlandë /VIDEO

Ka marrë fund odiseja torturuese e 12 sportistëve të mitur dhe trajnerit të tyre, të cilët kishin mbetur të izoluar në një shpellë në Tajlandë, që prej datës 23 qershor.

Bota

10/07/2018 14:38

Operacioni i shpëtimit, i kryer nga zhytësa tajlandezë dhe të huaj, arriti të nxjerrë jashtë të 12 djemtë dhe trajnerin e tyre, pas 3 ditësh të mundimshme dhe plot ankth.

Ky operacion filloi ditën e diel, kur u shpëtuan 4 djem, vijoi të hënën me shpëtimin e 4 të tjerëve dhe u mbyll para pak minutash me nxjerrjen jashtë shpellës të pjesës së mbetur, 4 sportistëve dhe trajnerit.

Djemtë dhe trajneri i tyre ishin nisur në një ekspeditë, por mbetën të izoluar, për shkak të ujërave që përfshinë shpellën.

Ata u gjetën pas rreth dy javësh kërkime, ndërsa operacioni i nxjerrjes jashtë ishte një telash më vete, për shkak të vështirësive që paraqiste rruga, sepse duhej një kombinim mes ecjes dhe zhytjes nëpër ngushtica.

Mediat tajlandeze kanë publikuar edhe një video ku shihet mënyra e nxjerrjes së fëmijëve nga shpella, shkruan lajmi.net.

Zhytësit perdorën një mënyrë të veçantë për t’i nxjerrë ata duke i bartur me kujdes nëpër rrugën që e kishin hapur ata.

Dymbëdhjetë djem të moshës 12 deri në 16 vjeç të një grupi futbolli ishin bllokuar në një shpellë së bashku me trajnerin e tyre para 18 ditëve.

Ngujimi ndodhi për shkak të përkeqësimit të motit dhe reshjeve, ndërsa dje grupet e shpëtimit kanë punuar për të hapur një rrugë kalimi dhe për të nxjerrë të rinjtë nga shpella e përmbytur. Ndikim pozitiv ka dhënë edhe përmirësimi i motit. /Lajmi.net/