Ja si do të dukej harta e Kosovës me tri komunat e Luginës së Preshevës /FOTO

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të një pajtimi që kufijtë e Kosovës duhet të ndryshojnë. Por, ata duan vetëm të marrin.

Lajme

10/08/2018 22:15

Thaçi dëshiron ta marrë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, por mos t’i japë asgjë Serbisë.

E presidenti serb, Vuçiq, e ka bërë të qartë se dëshiron t’i marrë katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, por nuk ka thënë asgjë se çka do të japë si këmbim.

Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm me luftë.

Kundër ndarjes ka dalë edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, por ai nuk ka folur nëse pajtohet me idenë e Thaçit për bashkimin e Luginës me Kosovën.

Mirëpo, ajo që flitet më së shumti ditëve të fundit është se çfarë duhet të japë Kosova në shkëmbim për tri komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës, shkruan lajmi.net.

Ajo që mendohet pashmangshëm është shkëmbimi i tri komunave veriore të Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, komuna këto me shumicë serbe, për tri komunat shqiptare në jug të Serbisë.

Megjithatë, Thaçi vazhdon të këmbëngulë se Kosova nuk do të ndahet, por vetëm bashkim i Luginës me Kosovën.

Por, si do të dukej harta e “re” Kosovë me tri komunat e Luginës së Preshevës, por edhe me humbjen e tri komunave veriore:

Harta aktuale e Kosovës

Përkrahja ndërkombëtare

Britania e Madhe dhe Gjermania kanë thënë se janë kundër ndryshimit të kufijve, sepse një gjë e tillë mund të krijojë tension dhe dhunë në rajonin e Ballkanit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se presin një zgjidhje dhe se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon. Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët.”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie, ka thënë se shteti i tij nuk ka ndryshuar dhe se ende vazhdon të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës dhe pavarësisë saj.

Deklaratat e ambasadorit Delawie pasojnë komentet, kryesisht të politikanëve në Beograd, se administrata e presidentit Donald Trump “nuk e mbështet pavarësinë e Kosovës”, ashtu siç e kanë mbështetur administratat e mëhershme.

“Shtetet e Bashkuara janë një nga miqtë dhe mbështetësit më të afërt të Kosovës, edhe pse ju mund te lexoni diçka tjetër në media, kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, ka thënë Delawie në Prishtinë.

“Miqësia ndërmjet dy vendeve tona është e thellë dhe është shumë-dimensionale dhe ne punojmë shumë çdo ditë për t’i avancuar qëllimet tona, siç janë demokracia, siguria dhe prosperiteti”, ka nënvizuar ambasadori amerikan. /Lajmi.net/