Ja pse Qeveria e rrethoi objektin e vet

Veprimet e fundit të aktivistëve të Vetëvendosjes nuk shihen me frikë nga ana e ligjvënësve, ndonëse ato konsiderohen të kundërligjshme, ka vlerësuar Edon Myftari, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Lajme

11/09/2015 17:27

Myftari po ashtu ka treguar arsyen e vendosjes së rrethojave përreth objektit të Qeverisë së Kosovës dhe për shtimin e masave të sigurisë në vend.

“Çështja e rrethojave është diçka që ka filluar disa muaj më parë jo vetëm për institucionin e kryeministrisë apo të Qeverisë, por është pjesë e një vlerësimi që policia e Kosovës në mënyrë periodike e bën për institucionet shtetërore vitale. Si rekomandim ka ardhur dikur kah qershori. Kemi kërcënime apo kanosje të ndryshme nga aspekti i terrorizimit global. Si rrjedhojë e kësaj edhe rrethojat kanë qenë pjesë e rekomandimit të cilin si institucion e kemi zbatuar menjëherë”, ka thënë për KosovaPress, Myftari.

Ndërsa sa i përket aktiviteteve të fundit të aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje, për Myftarin nuk shihen me rrezik, edhe pse i quan të kundërligjshme.

“Ne jemi një shtet ligjor, jemi shtet demokratik i cili do ta mbrojë institucionin, pavarësisht kush e udhëheq atë. Policia jonë, inteligjenca, shërbimet tjera shtetërore janë në nivel të detyrës dhe besoj që ata do t’ia dalin pavarësisht kërcënimit që mund të vijë”, ka potencuar më tej Myftari.