Ja pse është e dobishme për shëndetin të lahemi njëherë në javë

Shumë shqiptarë e mbajnë mend mirë larjen e së dielës, kur në shtëpi ndizej dushi i vajgurit. Edhe Donnachadh McCarthy kujton për “The Guardian” se, kur ishte i vogël, lahej vetëm një herë në javë por nuk vinte erë.

Lifestyle

16/03/2016 03:01

Ai thekson se puna e dushit të përditshëm është një normë kulturore relativisht e re edhe në Perëndim, dhe është e punë e kompanive të marketingut të shampove dhe sapunëve. Ata janë përfituesit e vetëm thotë McCarthy, duke shtuar se duke u larë përditë po harxhojmë para dhe po i bëjmë dëm ambientit. Dushi i përditshëm harxhon shumë ujë dhe energji elektrike, thotë ai.

Por nëse ambienti nuk të intereson dhe aq, dushi i përditshëm ka efekte të këqija mbi lëkurën, pasi e than atë. Po e njëjta markë shamposh mund të ofrojë kremin hidratues dhe e zgjidh problemin duke paguar dy herë. Larja tepër e shpeshtë ngordh bakteret e dobishme të lëkurës dhe heq vajrat natyralë që prodhon trupi.

McCarthy sugjeron larjen një herë në javë dhe larjen e përditshme tek lavamani, siç e praktikon edhe vetë. Ai ka dy dekada që nuk përdor shampo flokësh, që kur vizitoi Amazonën dhe pa se banorët “e egër” atje kishin flokë të mrekullueshëm pa përdorur asgjë nga këto që përdorim ne. Por McCarthy nuk është i fiksuar, thotë ai vetë, dhe sugjeron se nëse do të shkoni në shtrat me dikë, apo tek mjeku për një vizitë, një dush do të ishte gjë e mirë./shekulli