Ja përse qajmë edhe kur jemi të lumtur

Sipas disa psikologëve, shfaqja e disa reagimeve të kundërta me atë çka ndiejmë vjen për shkak të një përgjigjeje imunitare të trurit tonë.

Fun

04/12/2017 18:58

Është e kuptueshme se kur jemi nën stres apo kur gjendemi në situata të cilat na vënë në provë të vështirë, niveli ynë i durimit mund të dalë nga “shinat”. Deri diku kjo është një gjë e shëndetshme, sepse menaxhimi i stresit dhe i emocioneve janë një cilësi e nevojshme për të mbijetuar në epokën e sotme, epokën bashkëkohore.

Një nga mënyrat më qesharake për të qasur argumentin, edhe pse është serioz, është rasti i filmit me Adam Sandler dhe Jack Nicholson, “Terapia e zemërimit”, ku një psikiatër përdor metodat jo konformiste për të ndihmuar të turpshmin Dave, për t’u shprehur me të tjerët.

Me siguri kush e gjen veten duke qarë kur është i lumtur, të qeshë kur është nervoz, të ulërijë kur është i emocionuar, mendon se ka nevojë urgjente për një psikiatër të zotë. Por e vërteta nuk është kështu!

Një studim i kryer nga disa psikologë të një universiteti prestigjioz amerikan, demonstron se në disa situata veçanërisht të ngarkuara me pathos, është truri ai që reagon me emocione të kundërta. Hulumtimi është publikuar në faqen e internetit të Shoqatës së Psikologjisë, një organizatë jofitimprurëse amerikane që u dedikohet studimeve avangardë të psikologjisë.

Sipas ekipit të psikologëve, kur truri reagon ndaj një ndjenje, një fakti apo një ngjarjeje, duke manifestuar ndjenjën e kundërt të asaj që në të vërtetë provohet, ndodh për shkak të përgjigjes që zbaton trupi ynë për të rivendosur ekuilibrin emocional dhe për të mbajtur nën kontroll ndjesitë dhe ndjenjat e forta emocionale.

Trupi njerëzor është i jashtëzakonshëm: praktikisht nëse ndien një emocion shumë të fortë që nuk e kontrollon dot, truri ndërhyn për ta rikthyer gjendjen emocionale të ndryshuar, në një nivel të shëndetshëm dhe të pranueshëm; dhe sipas studimeve të kryera këtë duket se arrin ta bëjë duke forcuar trupin që të reagojë në mënyrë të kundërt nga ajo që provon.

Hulumtimi gjithashtu deklaron se njerëzit që reagojnë në këtë mënyrë e marrin veten më shpejt nga lodhja e emocioneve të forta. Ky lloj reagimi kontradiktor, zakonisht verifikohet kur na ndodhin gjëra të cilat nuk mund t’i menaxhojmë, apo kur jemi të “zhytur” plotësisht në emocione shumë të forta pozitive.

Ndërsa në rastin e reagimeve negative përballë një lajmi të mirë, studiuesit shpjegojnë se ata të cilët reagojnë në këtë mënyrë janë personat që janë në gjendje të përkryer për të zbutur më shpejt emocionet e tyre. Këta lloj njerëzish mund ta mbajnë kontrollin edhe gjatë situatave negative të tilla si frika apo ankthi.

Këtë e ka konfirmuar mjekja e cila ka kryer këtë studim: “Falë këtij zbulimi, mjekët dhe veçanërisht psikologët, mund të kenë avantazhe për të studiuar mënyrën me të cilën reagojnë personat, se si shprehen dhe se si i kontrollojnë emocionet e tyre”. Është një detaj që nuk duhet nënvlerësuar, sepse vetëm nga këto demonstrime të vogla mund të arrihet të kuptohet gjendja e shëndetit mendor dhe fizik e dikujt.

Lotët e gëzimit

Hulumtuesit e ndryshëm kanë thënë se lotët e gëzimit dalin edhe për shkak të lidhjes emocionale me dikë. Të qajmë kur jemi të lumtur ndodh për shkak të dobive shoqërore. Kur lotët bien faqeve, ata i bëjnë të tjerët që të na mbështesin apo të bashkohen me gëzimin apo hidhërimin tonë. Por ekziston mundësia që lotët e gëzimit të kenë edhe pak doza mërzie brenda tyre.  Për shembull kur ndonjë student diplomohet, prindërit janë krenarë për të dhe gëzohen për sukseset e tij, por nga ana tjetër edhe mërziten, sepse ai do të nisë një rrugë dhe një jetë të re “larg” tyre. Ndërkohë, pyetësorë të shumtë kanë treguar se lotët e gëzimit janë më të rrallë sesa lotët nga mërzia.