Ja pas sa kohësh Kosovës i hiqen vizat nëse ratifikohet Demarkacioni?

Demarkacioni me Malin e Zi është ngritur si çështje nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lajme

07/12/2017 13:42

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u realizua në gusht të vitit 2015, mirëpo Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur ta ratifikojë.

Pas mosmarrëveshjeve të shumta rreth kësaj çështje, kryeministri aktual, Ramush Haradinaj shkarkoi Komisionin për Mirëmbajtjen dhe Shënjimin e Kufirit të udhëhequr nga Murat Meha i cili u zgjodh nga qeverisja e kaluar, duke formuar një Komision të ri në krye me ish-deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, shkruan lajmi.net.

Rreth dy ditë më parë, në mbledhjen e Qeverisë, Bulliqi prezantoi të gjeturat e reja nga terreni dhe raporti i tij së bashku me versionin aktual iu ka proceduar Kuvendit.

Çka do të ndodhë pas ratifikim të demarkacionit?

Nëse Kuvendi ratifikon këtë marrëveshje, Bashkimi Evropian pritet të jap dritën e gjelbërt për liberalizim.

Ish-zëvendësministri në Ministrin e Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi ka treguar për lajmi.net se si rrjedh procedura deri te lëvizja lirshëm e qytetarëve.

“Nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës miraton marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, atëherë kjo do të duhej të zhbllokonte procesin vendimmarrës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili ka ngecur në Parlamentin Evropian. Hapi i ardhshëm do të ishte miratimi, në Komitetin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme (LIBE) të Parlamentit Evropian, i nisjes për fillimin e negociatave midis Parlamentit dhe Këshillit të Bashkimit Evropian për tu pajtuar për tekstin e propozimit që do të duhej të miratohej në seance plenare të Parlamentit Evropian si dhe pastaj nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Nëse Parlamenti dhe Këshilli nuk pajtohen, atëherë krijohet një komitet me pjesëmarrje nga Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni për të akorduar qëndrimet dhe për të prodhuar një tekst të propozimit që mund të kaloj në Parlament dhe Këshill. Këshilli voton me shumicë të cilësuar, që nënkupton se Kosovës i duhet përkrahje e konsiderueshme nga Shtetet Anëtare të BE-së. Pas votimit në Këshill, duhen deri në tre javë që propozimi i miratuar të publikohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, ndërsa hyrja në fuqi zakonisht ndodh në ditën e 20-të pas datës së publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, mirëpo mund të aranzhohet që vendimi të hyj në fuqi edhe më herët nëse ka kërkesë të tillë nga Shtetet Anëtare të BE-së si në rastin e Shqipërisë dhe Bosnjës. Në kuptimin e kornizës kohore, nëse shikojmë rastin e Shqipërisë dhe Bosnjës, propozimi legjislativ nga Komisioni Evropian u bë më 27 maj 2010 ndërsa vizat u hoqën më 15 dhjetor 2010, pra janë dashur afër 6 muaj”, ka sqaruar Ilazi.

Sipas tij, duhet të kemi parasysh se në kontekst të negociatave midis Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së faktor të ndryshëm mund të ndikojnë të përshpejtojnë ose vonojnë procesin vendimmarrës. Prandaj, nuk duhet të marrim si të mirëqenë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, por kërkohet angazhim i vazhdueshëm për të bindur, sidomos shtetet anëtare të BE-së, për një vendim pozitiv.

“Kjo na sjell tek një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për të arritur tek një vendim pozitiv për liberalizim të vizave, e që ka të bëjë me faktorin politik. Imazhi për Kosovën nuk është i mirë në kryeqytetet kryesore të BE-së, ku ne shihemi si shtet me korrupsion dhe krim të lartë, dhe kërcënim potencial migrimi. Propozimi legjislativ për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian në maj të vitit 2016 u arrit në prapavijë të vështirësive të shumta teknike si dhe politike, sepse një numër i shteteve anëtare ishin kundër një hapi të tillë prej anës së Komisionit Evropian. Ne duhet të ndërtojmë një momentum pozitiv dhe kjo më së miri do të arrihet duke ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi si dhe duke zbatuar obligime nga Agjenda e Reformave Evropiane (ERA), sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Për shembull nëse ne arrijmë në të ardhmen e afërt të miratojmë ndryshimet e nevojshme legjislative që mundësojnë suspendimin ose largimin e zyrtarëve të zgjedhur publik që hetohen ose janë dënuar për korrupsion, ose të kemi rritur numrin e vendimeve të formës së prerë të gjykatave lidhur me rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të ishin zhvillime shumë pozitive për ne”.

Krahas kësaj, Ilazi ka shtuar se Qeveria, por sidomos Komisioni për Integrim Evropian i Kuvendit të Kosovës mund të ndihmoj shumë duke nisur një fushatë komunikimi direkt me kolegët e tyre në parlamentet e shteteve anëtare.

“Këto do të ndihmojnë jo vetëm për realizimin e liberalizimit të vizave, por edhe për të shtyrë përpara Kosovën në hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sic është aplikimi për anëtarësim. Megjithëse janë procese të ndara, nuk ka fare kuptim të flasim për aplikim për anëtarësim në vitin 2018, kur ne ende nuk kemi përmbyllur procesin e liberalizimit të vizave”, ka përfunduar Ilazi./Lajmi.net/