Ja në sa shkon numri i azilkërkuesve kosovarë në Gjermani

Gjermania mbetet vendi më i preferuar i kosovarëve për azil. Zëdhënësja e Zyrës Federale për Migracion, Edith Avram, ka thënë se brenda dy vjetëve të fundit në këtë shtet kanë kërkuar azil rreth 54 mijë kosovarë. Me këtë numër të lartë të azilkërkuesve Kosova lë pas vetes shtetet si Afganistani dhe Iraku.

Lajme

16/04/2016 08:55

Fundi i 2014-s ishte koha kur kosovarët, të dëshpëruar me gjendjen ekonomike në vend, filluan masovikisht të nisen rrugëve ilegale për të arritur në ndonjërin prej shteteve të Evropës.

Institucionet kosovare nuk i pengonin fare ata, pasi për muaj të tërë dhjetëra autobusë, niseshin nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë për në Beograd e që ishte ndalesa e parë e kosovarëve, për të vazhduar pastaj drejt Hungarisë që ua hapte rrugët për emigrimin në ndonjë nga shtetet më të fuqishme të Evropës.

Mijëra kosovarë që iu bashkuan fluksit “ilegal” të emigrimit, zgjodhën Gjermaninë si destinacionin kryesor për të jetuar. Shumica prej emigrantëve kosovarë nuk u lajmëruan asnjëherë në zyrat e migracionit gjerman, derisa vazhdojnë jetën e tyre në mënyrë ilegale duke iu shmangur autoriteteve gjermane. Por, numri i atyre që vendosën të kërkojnë azil në Gjermani ishte jashtëzakonisht i madh. Për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën “Zëri”, autoritetet gjermane dhanë shifra të azilkërkuesve kosovarë.