Ja kush ishte Ilaz Kodra

Sot mbushen shtatëmbëdhjetë vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.

Lajme

30/04/2016 08:38

Ilaz Ismajl Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.

Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit. Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur. Atje, me dijeninë e kryetarit Ramiz Alia ishte caktuar një grup oficerësh shqiptarë: Ylli Mici, Hysen Imeri, Agron Dhimarko e të tjerë, të cilët morën pjesë në stërvitjen e tyre ushtarake, meqë ata ishin përcaktuar për luftë të armatosur kundër pushtuesit dhe jo për politikën pacifiste të pritjes dhe durimit deri në skllavëri e nënshtrim.

Stërvitja e Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, Ilaz Kodrës, Zahir Pajazitit dhe shumë të tjerëve, edhe pse ishte mbajtur top sekret shtetëror, qysh gjatë asaj kohe e kishte zbuluar shërbimi sekret serb, përmes informatorëve të veta në Tiranë, në mërgatë dhe në Kosovë.

Në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë tw daltws 4.10.1996, lidhur me ndjekjen që kishte filluar kundër Adem Jasharit, Ilaz Kodrës, Besim Ramës, Avni Nurës, Jakup Nurës, Fadil Kodrës, Nuredin Lushtakut, Rafet Ramës, Sami Lushtakut, Rexhep Selimit, Hashim Thaçit, Sahit Jasharit, Zenun Kodrës, Ali Januzit dhe Idriz Asllanit, thuhet se tw gjithë këta akuzohen se “në gjysmën e dytë të vitit 1992, pas qëndrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, ku së bashku, ushtarakisht janë stërvitur me pjesëtarët e armatës shqiptare nën komandën e eprorëve të tyre. Në territorin e komunës së Skënderajt kanë formuar grupin “terrorist armiqësor” dhe së bashku me shumë persona ende të paidentifikuar janë bërë anëtarë të të njëjtit grup, kanë filluar armatosjen e grupit dhe për këtë qëllim kanë siguruar sasi të madhe të armëve, municionit dhe të mjeteve eksplozive, pushkë, automatikë, pushkë me snajper, revolverë, bomba dore, mina, trombllonë dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Prej tyre një pjesë e kanë sjellë nga Republika e Shqipërisë, pastaj rregullisht, nga gjysma e dytë e vitit 1992 e deri në fund të shtatorit të vitit 1976, në mal, në afërsi të fshatit Prekaz i Ulët, kanë stërvitur shkathtësitë ushtarake, përdorimin e armëve të zjarrit, rregullisht kanë stërvitur në gjuajtjen e tyre në shenjë, kanë mbajtur mbledhje ilegale, më së shpeshti në Prekazin e Ulët, në të cilat mbledhje janë marrë vesh dhe kanë planifikuar kryerjen e aksioneve të armatosura në territorin e komunës së Gllogovcit, Pejës, Vuçitërnës dhe Mitrovicës dhe pas këtyre përgatitjeve të bëra me qëllim të rrezikimit të rregullimit kushtetues dhe sigurimit të RFJ kanë ndërmarrë aktet e dhunës në territoret e këtyre komunave. Sipas marrëveshjes paraprake, në të njëjtën kohë dhe në bashkëveprim me grupet e tjera terroriste, të cilat këto akte në mënyrë të vazhdueshme i kanë kryer në territorin e Kosovës, me ç’rast me dashje kanë privuar nga jeta 4 persona dhe kanë tentuar që t’i privojnë edhe 16-të persona të tjerë, me çka te qytetarët kanë krijuar ndjenjën e pasigurisë.”

Qysh në vitin 1991, Ilaz Kodra bashkë me Adem Jasharin, kanë shkuar në Shqipëri, ku edhe i kanë kryer stërvitjet ushtarake dhe kanë mësuar taktikat e sulmit dhe të tërheqjes. Ai e ka kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar ilegalisht disa herë. Një kohë të shkurtër qëndroi edhe në Gjermani, në Mynih ku kishte zhvilluar një aktivitet të fortë atdhetar dhe kishte bindur bashkatdhetarët që ta ndihmojnë luftën dhe të rreshtohen në radhët e UÇK-së.

Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, (Ish-Ludovik) betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.

Më 22 maj të vitit 1993, Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Besim Rama, Rafet Rama, Jakup Nura dhe Fadil Kodra të armatosur me pushkë automatike, kanë zënë pritë në afërsi të rrugës në kalimin hekurudhor në hyrje të Drenasit, nga ku rreth orës 22.40 minuta kanë hapur zjarr me rafal kundër policisw të ndërrimit të tretë të MUP-it, në Drenas, mbi veturën zyrtare të policisë me ç’rast janë vrarë policët Zvonko Jevtiq dhe Nebojsha Gjorgjeviq, kurse lëndime të rënda trupore kanë marrë policët Zoran Iliq dhe Sinisha Mirosavleviq, ndërsa lëndime të lehta trupore kanë marrë policët Bojan Mladenoviq, Miroljub Milenkoviq dhe Predrag Perishiq.

Policët e MUP-it të Serbisë, Safet Gashi dhe Sinan Stefanoviq nuk kanë pësuar lëndime. Ky sulm i armatosur kundër nëntë policëve serbë, të cilët për çdo ditë maltretonin dhe përdhunonin shqiptarët në Drenicë, po i ngjallte shpresat e popullatës liridashëse, e cila tashmë ishte bindur se lufta për çlirimin e Kosovës nuk do të vononte.

Para dhe pas këtij sulmi, Ilaz Kodra ashtu sikur të gjithë bashkëluftëtarët kanë jetuar ilegalisht dhe kanë marrë pjesë në aksione të ndryshme kundër policisë serbe në Drenicë, Mitrovicë, Pejë Dukagjin e gjetkë.

Pas betejës së Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e Komandantit vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në po thuajse në çdo fshat të kësaj ane. Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.

Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.

Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator të vitit 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj Brigade, e cila mori emrin e komandant të saj të parë, Fehmi Lladrovci.

Në krye të kësaj Brigade, komandanti Ilaz Kodra ofroi rreth vetës luftëtarë të përkushtuar. Gëzonte respekt nga luftëtarët për shkak të qëndrimit të tij të drejtë dhe parimor në raport me organizmin dhe luftën kundër forcave pushtuese. Ilazi ishte kudo ku luftohej. Në luftë ishin mobilizuar edhe shumë të afërm të tij të lagjes Kodra si Samiu, Hasani, Nysreti, Zenuni, Fadili, Sabriu, Emini, Haliti, Hajdini, Hetemi, Bekimi e shumë të tjerë

Rrezja e veprimit luftarak e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc Shtuticë, Baks, Qirez, Morinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skenderaj e deri në Tërnac.

Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.

Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t i shkuar në ndihmë popullatës.

Në mëngjes herët rreth orës 5.30 minuta fillon breshëria e sulmit të forcave armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra ka luftuar fyt për fyt kundër forcave serbe. Ai ra në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë”.

Ndryshe, në vitin 2012 është zbuluar busti i heroit dhe është inauguruar kulla-muze e tij.