Ja ku i shpenzoi Qeveria Haradinaj gjysmën e parave të rezervave shtetërore?

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj po tregohet shumë dorë shlirë sa i përket shpenzimeve të mjeteve nga rezervat e buxhetit të Kosovës.

Lajme

10/03/2018 17:16

Për tre muaj e parë të këtij viti Qeveria e Kosovës  ka shpenzuar afër gjysmë e tyre.

Nga 4,800,000 euro sa janë të planifikuara  nga rezervat shtetërore për këtë vit, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga 1 janari deri më 8 mars 2018, janë shpenzuar 2,077,469.78 euro.

“Rezerva sipas Ligjit vjetor të buxhetit për këtë vit janë 4,800,000 Euro. Qeveria e Republikës së Kosovës për periudhën 1 Janar deri më 8 Mars ka shpenzuara 2,077,469.78 Euro”, thuhet në përgjigjen  e Ministrisë së Financave për lajmi.net, ku këtu nuk hynë edhe 500 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve për shënimin e 550 Vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Këto mjete janë ndarë në mbledhjen e Qeverisë më 9 mars.

Shqetësimin për ndarje e mëdha të mjeteve rezervë e ka ngritur edhe ministri i Financave, Bedri Hamza. Ai ka thënë se gjendja e rezervës është duke shkuar nga fundi.

“E para për të gjitha ngjarjet që do të ndodhin i lus të gjithë ministrat që t’i planifikojnë dhe t’i vendosin me kohë në buxhetin e ministrisë së tyre. E dyta nga çdo njëri prej neve që ka nevojë për rezerva të respektohet afati dhe e treta duhet me pas kujdes për kërkesat e ardhshme për shkak se gjendja e rezervës është duke shkuar nga fundi”, tha Hamza.

Mënyrën e ndarjes së mjeteve nga rezervat shtetërore e ka kritikuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Avdulla Hoti shef i grupit parlamentar të LDK-së, të premten në një konferencë për media ka thënë se Qeveria Haradinaj për gjashtë muaj ka ndarë 5.6 milionë euro, që sipas tij në krahasim me Qeverinë e kaluar ka ndarë pesë herë më shumë, shkruan lajmi.net.

“Për këta gjashtë muaj, Qeveria Haradinaj ka shpenzuar 5.6 milionë ero nga rezervat shtetërore. Për gjashtë muaj të parë të Qeverisë Mustafa janë dhënë 1.3 milionë euro, pra pesë herë më shumë janë shpenzuar kryesisht me vendime jo ligjore. Vendimi i fundit i cili është bukur skandaloz është ai prej 1 milion euro për rrymën e shpenzuar për komunat në veri”, ka thënë Hoti në një konferencë për media.

 Lajmi.net sjellë shumat dhe projektet ku Qeveria e Kosovës ka marrë buxhet nga rezervat e shtetit:

54 mijë euro për manifestimin Flaka e Janarit – nga mbledhja e 12 janarit 2018

600 mijë euro për  shënimit e 10 vjetorit të pavarësisë – 13 shkurt 2018

100 mijë euro për Epopenë e UÇK-së

152 mijë euro për Komisionin për Demarkacion – 20 shkurt

120 mijë euro për familjet e komunitetit egjiptian – 20 shkurt

1 milionë euro për KOSTT – 5 mars.

500 mijë euro – për shënimin e 550 Vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, më 9 mars. /Lajmi.net/