Ja çka thonë mjekët australianë për rrethprerjen

Rrethprerja (synetia) e meshkujve është subjekt i një debati për shekuj me radhë. Megjithatë, studimi i ri mund të mbyllë diskutimin.

Lifestyle

23/03/2017 00:15

Hulumtuesit australianë thonë se synetia (cirkumzioni) mund të jetë po aq e dobishme sa vaksinat për të mbrojtur djemtë nga disa lloje të infeksioneve.

Ata thonë se përfitimet nga kjo procedure, ndaj rreziqeve, janë në raportin 200 me një, dhe se meshkujt e pabërë synet kanë një rrezik 80 për qind më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve lidhur me lafshën e penisit, raporton Daily Mail.

Gjatë gjithë jetës së tij, çdo mashkull i pabërë synet do të marrë një infeksion për shkak lafshës së penisit, thotë udhëheqësi i studimit Dr. Brian Morris nga Universiteti i Sidneit. Në anën tjetër, infeksione të ngjashme ndodhin vetëm në një nga 250 personat e bërë synet. Përveç kësaj, siç tregon hulumtimi, ky process nuk lë ndonjë ndikim negativ në funksionin e penisit, ndjeshmërinë, apo aftësinë për të arritur kënaqësi.

Studimi është kryer nga ekspertët e Universitetit të Sidneit, Universiteti i New South Wales dhe disa spitaleve universitare. Ata ishin të përqendruar në atë se si ndikon synetia në infeksionet urinare, kushtet inflamatore, sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe kancer gjenital, si dhe nivelin e rrezikut që mbart kjo procedurë në fëmijërinë e hershme.

Synetia kozmetike aktualisht është e ndaluar në spitalet australiane, por procedura mund të kryhet privatisht. Procedura është konsideruar si “përgjithësisht e sigurtë”, por janë disa rreziqe të komplikimeve.

Dr. Morris thotë se synetia dikur ishte ndërhyrje e preferuar dhe bëri thirrje për kthimin e saj në spitalet publike.

“Përfitimet e mëdha dhe rreziqet e ulëta të synetisë janë njëlloj të dobishme si edhe vaksinimi”, tha ai./GazetaExpress/.