Ja çka mundëson nënshkrimi i marrëveshjes së sotme për polisat e sigurimit

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media shpjegon se qka u nënshkrua sot në Bruksel në kuadër të dialogut ndërshtetërorë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

23/06/2015 22:35

Thuhet se është arritur dhe nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të policave të sigurimit të automjeteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nën lehtësimin dhe garantimin e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Byrove Evropiane.

Kjo marrëveshje u nënshkrua në prezencë të përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini, dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kjo marrëveshje e iniciuar me insistimin e madh të palës së Kosovës ka qenë pjesë e diskutimeve të vazhdueshme që nga fillimi i vitit 2013 dhe siç ka deklaruar ministrja për Dialog Edita Tahiri, ky është edhe një hap drejt vendosjes së mirëfilltë dhe të civilizuar të sistemit të kalimeve kufitare në mes të dy shteteve asaj të Kosovës dhe Serbisë.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë rreth asaj se çka mundësohet me nënshkrimin e kësaj marrëveshje

Me këtë marrëveshje mundësohet njohja e ndërsjellë e sigurimeve të automjeteve të të dyja vendeve, ku automjetet e regjistruara në Kosovë do të mund të kalojnë në territorin e Serbisë me sigurimin MTPL, ndërsa automjetet e regjistruara në Serbi do të mund të kalojnë në bazë të sistemit të Kartonit të Gjelbër. Në këtë mënyrë hiqet edhe një barrierë e padrejtë drejt lirisë dhe lehtësisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu me këtë marrëveshje mundësohet vendosja e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Asociacionit të Siguruesve të Serbisë. Për më tepër, Byroja Kosovare e Sigurimeve avancon marrëdhëniet dhe qëllimin e saj drejt anëtarësimit në Byronë e Kartonit të Gjelbër.

Kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës pasi që mundëson uljen e çmimeve të kalimeve kufitare me automjete në masë të madhe, ku në praktikë nënkupton të njëjtin sistem të kalimeve kufitare dhe të njëjtës tarifë që zbatohet me Republikën e Maqedonisë.

Po ashtu me këtë marrëveshje avancohet zbatimi i marrëveshjeve të Lirisë së Lëvizjes dhe Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM). Me këtë marrëveshje avancohet dhe mundësohet kontroll më i mirë nga policët, doganierët dhe agjencionet tjera kufitare të kufirit shtetëror të Kosovës.

Një nga të arriturat kryesore të kësaj marrëveshje është mundësia e lëvizjes së lirë të qytetarëve të dyja vendeve pa barrierat e padrejta dhe shumë të kushtueshme. Në këtë mënyrë si shqiptarët e të dy anëve të kufirit, po ashtu edhe serbët do të jenë më të lirë dhe ta kenë më të lehtë thellimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve familjare. Kjo marrëveshje do të shërbej si një urë lidhje e qytetarëve, komuniteteve dhe shteteve në mes veti përkundër mentalitetit të urave ndarëse, u shpreh znj. Tahiri në takim.

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, kishte në përbërje z. Qemajl Marmullakaj, koordinator i çështjes së Sigurimeve, z. Rrahim Pacolli udhëheqës i delegacionit në nivelin teknik dhe kryetar i Asamblesë së Sigurimeve, dhe Faton Abazi drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.