Ja cilët janë hapat ligjorë të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës

Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës është relativisht i ndërlikuar, sidomos duke pasur parasysh se përveç neneve të posaçme të Kushtetutës dhe Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës ekzistojnë edhe dy vendime interpretuese të Gjykatës Kushtetuese që kanë rrëzuar nga ky post Sejdiun dhe Pacollin.

Lajme

25/02/2016 21:45

Në nenin 86 pika 2 e Kushtetutës së Kosovës thuhet se zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual që do të thotë se data 7 mars është data e fundit kur mund të zgjidhet një president i ri.

Përndryshe, nëqoftëse se Kuvendi deri më këtë datë nuk arrin ta zgjedh presidentin, atëherë Kuvendi duhet të shpërbëhet dhe presidentja Atifete Jahjaga duhet të shpall datën e zgjedhje të parakohshme që do të mbaheshin në afatin prej 45 ditësh.

Për sa i përket votave të nevojshme për ta zgjedhur, presidentin, do të mjaftojnë 61 deputetë.

Sipas nenit 86 (5) te Kushtetutës thuhet se “ Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.”  2/3- at e shumicës te 120 (njëqind e njëzetë) deputetëve është  80 deputetë.  Kjo do të thotë që nëse në dy raundet e para nuk mundësohet të zgjidhet Presidenti me 2/3 atëherë mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej së paku 61 deputetësh në raundin e tretë.

Një ndër gjërat me delikate në procesin e nesërm është kuorumi i deputetëve të pranishëm.

Gjykata Kushtetuese e shpalli  jo kushtetues vendimin e Parlamentit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit Behxhet Pacolli në 22 shkurt 2011  pikërisht duke thënë se nuk ishte mbushur kuorumi i nevojshëm prej 80 deputetëve për ta quajtur seancën të vlefshme. Vendimi i lëndës së Gjykatës Kushtetuese me numër KO 29/11 të ashtuquajtur “Sabri Hamiti dhe deputetë të tjerë” thotë tekstualisht se “ishin të pranishëm vetëm 67 deputetë, që do të thotë se kuorumi i nevojshëm nuk u arrit me kurrë me qëllim që të zbatohej procedura e votimit për President.” .

Pra prezenca e 80 deputetëve në seancë është kuorumi i nevojshëm qe nevojitet për të proceduar me zgjedhjen e Presidentit në seancën e nesërme.

Ky vendim i Gjykatës së Kushtetuese e tregon qartë se ndryshe nga spekulimet e disa juristëve që kanë dalë nëpër media, në mënyrë eksplicite kuorumi quhet i përmbushur nga numri i deputetëve të pranishëm e jo nga votat që janë në kuti.

Një tjetër argument thelbësor i përdorur nga Gjykata Kushtetuese për të rrëzuar votimin e Pacollit si president ishte mungesa e një kundër kandidati gjatë procedurës së votimit të Presidentit. Për ta plotësuar formën procedurale të zgjedhjes së presidentit dhe për përmbushur kriteret e vendosura nga vendimi i sipërpërmendur i Gjykatës Kushtetuese është paraqitur Rafet Rama si kundër-kandidat i Hashim Thaçit për postin e Presidentit.

Neni 87 (2)   i Kushtetutës sqaron se  “Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Kjo lë të kuptohet se Ahtifete Jahjaga ngelet presidente derisa t’i skadojë mandati që duke qenë se e ka marrë mandatin më 6 prill 2011 i bie që mandati pesëvjeçar të skadojë në 7 prill 2016. Presidenti i zgjedhur e merr mandatin presidencial dhe bëhet kryetari fuqiplotë i shtetit vetëm pasi i përfundon formalisht mandati pesëvjeçar dhe duke patur parasysh që i njëjti nen 87 pika 1 thotë se “Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës.”  atëherë kjo nënkupton që duhet ta bëj betimin dhe të marrë mandatin në datën 7 prill 2016. Në këtë ditë bëhet pranim dorëzimi i detyrës mes presidentit të sapo zgjedhur dhe Jahjagës edhe kjo ditë do të  jetë dita e inaugurimit të tij si president i ri i Kosovës.

Duke patur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi presidentin Fatmir Sejdiu në shtator 2010, presidentit të zgjedhur i duhet të japë dorëheqjen pa marrë mandatin e presidentit pra para datës 7 prill. Vendimi i atëhershëm i kushtetueses për çështjen 47/10. “Naim Rustemi dhe 31 deputete te tjerë te Kuvendit te Republikës se Kosovës vs. Shkëlqesisë se Tij, Fatmir Sejdiu, President i Republikës se Republikës “ thoshte se “Ka shkelje serioze te Kushtetutës së Kosovës, respektivisht te Nenit 88.2  të Kushtetutës, nga Shkëlqesia e Tij, z. Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit te Republikës se Kosovës si dhe postin e Kryetari të Partisë Politike – Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK-së”.

Pra sipas të gjitha gjasave nëse kandidati presidencial Hashim Thaçi siguron kuorumin e vlefshëm prej 80 deputetësh në seancën e nesërme dhe merr 61 vota pro prej tyre në raundin e tretë atëherë ai është presidenti i zgjedhur që e bën betimin dhe merr mandatin në 7 prill  kur i mbaron mandati presidencial Ahtifete Jahjagës por duke dhënë paraprakisht dorëheqjen prej drejtimit të PDK-së në mënyrë që mos të gjendent në shkelje kushtetuese sikurse i ndodhi Sejdiut që mbante të dy postet njëherësh./ Lajmi.net