Ja çfarë thotë Joshua për rikuperimin e Furyt në raundin e 12-të ndaj Wilder

“Zgjimi nga vdekja” i Tyson Furyt në raundin e 12-të kundër Deontay Wilder ka mahnitur pothuajse secilin.

Sport

16/12/2018 09:43

Por, Anthony Joshua mund të jetë një prej të paktëve që kjo gjë nuk i është dukur e pamundur.

Ai ka provuar ta shpjegojë se si Fury ka arritur të zgjohet nga ai nokaut që për shumë kë do të ishte fatal.

“Mendoj se ai ishte i lodhur. Wilder nuk e goditi fort atë, si një nokautues i vërtetë” ka thënë Joshua për “iFL TV”, transmeton lajmi.net.

“Fury ishte i lodhur dhe pati nevojë për ato pesë sekonda të qëndrojë i shtirë, pastaj u ngrit” ka thënë tutje ai.

Duket se britaniku më shumë ka thumbuar Wilderin, duke insistuar se goditja e tij nuk ishte mjaftueshëm e fortë, sesa që ka nënvlerësuar Tyson Furyn.

Joshua ndeshjen e radhës do ta ketë më 13 prill dhe kundërshtari nuk është caktuar ende. Ai po shpreson të përballet me amerikanin Wilder. /Lajmi.net/