Ja çfarë i duhet Ilir Metës që të bëhet president

Eksponentë të Partisë Socialiste dhe të vetëquajtur juristë kanë komentuar ditët e fundit mundësinë e pengesave ligjore për ceremoninë e betimit të Presidentit të ri të Republikës, Ilir Meta.

Lajme

01/07/2017 16:49

Përveç dashakeqësisë politike, argumentet që sillen nga pseudo juristët nuk kanë asnjë bazë ligjore. Kuvendi është thirrur me dekret të Presidentit në detyrë, Bujar Nishani për tu mbledhur më datën 24 korrik për ceremoninë e betimit të Presidentit të ri. Në këtë mënyrë, ceremonia e betimit është një proces ligjor që nuk mund të pengohet nga pjesëmarrja ose jo e deputetëve të caktuar të Kuvendit. Deputetët e Kuvendit kanë detyrim kushtetues pjesëmarrjen në seancë, pasi duhet të respektojnë dekretin e Presidentit. Por edhe sikur një pjesë e tyre të mungojnë, kjo nuk e bën ceremoninë të pavlefshme. Pasi mjafton që në sallë të ketë edhe një prani minimale deputetësh. Nga pikëpamja ligjore, të gjitha pretendimet e hedhura në media nuk qëndrojnë, për sa kohë që proceduara parlamentare nuk paraqet asnjë pengesë për ceremoninë dhe pjesëmarrjen e ligjvënëseve.

Burime nga stafi i Ilir Meta bëjnë të ditur se  Meta i mjafton bashkëpunimi me kreun e shtetit Bujar Nishani për ceremoninë e betimit. Presidenti i ri betohet dhe merr detyrën më 24 korrik.

Të njëjtat burime i bëjnë thirrje atyre që janë “shqetësuar” për këtë çështje që të mos mërziten dhe nëse dikush ka probleme me temperaturat e larta në këto ditë korriku, i këshillojnë që të shkojnë në bregdet ose në mal pasi z. Meta i mjafton vetëm bashkëpunimi me Bujar Nishani për të përmbyllur siç duhet procedurat.

Kujtojmë që dje Nishani dekretoi thirrjen e Kuvendit në seancë të posaçme, sipas nenit 74 të Kushtetutës. Betimi i kreut të shtetit është një proces formal që nuk ka asnjë lidhje me vijimin e mandatit. E thënë ndryshe, nëse në seancë nuk vijnë deputetët, janë këta të fundit që shkelin Kushtetutën, sepse marrja e detyrës së Presidentit vijon normalisht.