Izraeli tërheq ambasadorin nga Suedia

Suedia të enjten u bë vendi më i madh i Evropës perëndimore që ka njohur shtetin palestinez, kurse Izraeli reagoi shumë shpejt duke tërhequr ambasadorin e vet nga Stokholmi, në shenjë proteste

Bota

30/10/2014 21:05

Njohja e publikuar nga qeveria majtiste suedeze, në kohën  e tensioneve të rritura ndërmjet arabëve dhe izraelitëve për arsye të planeve çifute për ndërtimin e 1,000 njësive të reja të banimit në Jerusalemin lindor (me popullatë palestineze), reflekton padurimin ndërkombëtar në rritje me okupimin gati 50-vjeçar të Jerusalemit lindor, të Bregut Perëndimor, si dhe bllokadën e Rripit të Gazës.

Ministrja e Jashtme suedeze, Margot Wallstrom deklaroi se Suedia ka përmbushur premtimin e dhënë nga Partia Socialdemokrate pas marrjes së pushtetit këtë muaj, dhe se beson që palestinezët i kanë përmbushur kriteret e së drejtës ndërkombëtare për një njohje të tillë.

“Ekziston territori, populli dhe qeveria”, iu ka thënë ajo gazetarëve, duke shtuar se Suedia është vendi i 135-të në botë (sipas Autoritetit palestinez), që e ka njohur shtetin e Palestinës.

Ndërkaq, sipas evidencës së agjencisë franceze të lajmeve AFP, Palestina është njohur nga 112 shtete të botës.