Izraeli përkujton Holokaustin

Izraeli ka filluar ceremoninë e parvjetshme për të shënuar kujtimin për Holokaustin, gjenocidin ndaj gjashtë milionë hebrenjve të kryer nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Bota

16/04/2015 11:40

Sot në mëngjes, në orën 7:00, në gjithë Izraelin kanë fishkëllyer sirenat për dy minuta, koha kur në shenjë respekti për viktimat e Holokaustit pushon gjithcka, këmbësorët në rrugë ndalen, e po ashtu edhe veturat, ndërsa udhëtarët qëndrojnë me koka të përkulura.

Mbyllen restorantet, kafenetë dhe të gjitha vendet për argëtim ndërkaq në radio dhe televizione mbahen emisione dokumentare për Holokaustin, iniciativën më famëkeqe për shfarosjen e njerëzve në historinë e botës.

Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte krijuar shumë burgje dhe kampe përqendrimi. Kampet kishin filluar të hapen që nga viti 1940. Ndër kampet më të njohura ishin ; Kampi i Aushvicit, i Dahaut, i Mat’hauzenit, i Belsenit, i Firensburgut. Në këto vende ishin vendosur njerëz nga të gjitha vendet e pushtuara nga blloku nazi-fashist.

Në këto kampe, u mbytën, u torturuan, dhe u bënë eksperimente të gjalla në fushën medicinale. Shumë njerëz për të mos parë skenat e tilla dhe për të mos përjetuar torturat e tilla bënë vetëvrasje.

Nazistët kishin tubuar shumë njerëz në kampet e tyre. Vrasjet me bomba, armë zjarri, pushkatimet, mbytjet me tortura, ishin bërë të zakonshme.

Mbytja me gaz brenda një dite arrinte deri në 20.000 njerëz. Trupat e pajetë të njerëzve hidheshin në furra me temperatura të larta, për të zhdukur çdo gjurmë. Shumica e këtyre njerëzve ishin hebrenj.

Në disa vende të Evropës, popullsia vendase vetë i dorëzonte hebrenjtë në duar të nazistëve. Por pati popuj të atillë që i fshihnin dhe strehonin dhe i mbronin hebrenjtë. Shembulli më i njohur janë shqiptarët.

Hebrenjtë në Shqipëri kaluan mirë dhe nuk përjetuan fatin tragjik të bashkëkombësve të tyre. Shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë duke i mbajtur në familjet e tyre. Kjo ndodhi në shumë qytete të Shqipërisë si në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Krujë, Shkup, Prishtinë, etj.

YouTube player