Izraeli: Marrëveshja për programin bërthamor të Iranit, një “gabim historik”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu e cilësoi sot ”gabim historik” marrëveshjen e finalizuar mes Iranit dhe fuqive të mëdha në Vjenë, përcjell ATSH

Bota

14/07/2015 12:21

“Sipas elementeve të para që kemi marrë, tashmë është e mundur të thuash se kjo marrëveshje është një gabim historik për botën”, deklaroi Netanjahu para një takimi në Jerusalem me ministrin holandez të Punëve të Jashtme, Bert Koenders.

Sipas tijm, ai do të keqpërdorë përfitimet që do t’i marrë nga kjo marrëveshje. Të mirat materiale që do t’i fitojë Irani, pas heqjes së sanksioneve që kanë goditur ekonominë e këtij vendi, sipas Netanjahut do të përdoren për terror dhe agresion.

”Në sajë të kësaj marrëveshjeje që parashikon të pengojë Teheranin të pajiset me armë bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve që kanë goditur ekonominë e tij, Irani do të marrë qindra miliardë dollarë që do t’i mundësojnë vënien në funksion të makinës së terrorit, agresionit dhe shtrirjes së tij në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”, theksoi Netanjahu