Izraeli godet një objekt ushtarak të Sirisë

Ushtria siriane tha se avionët izraelitë kanë goditur një objekt të saj në perëndim të Sirisë.

Bota

07/09/2017 10:08

Në deklaratë thuhet se disa raketa janë hedhur nga hapësira ajrore e Libanit dhe kanë goditur një lokacion pranë qytetit Masjaf, duke vrarë dy njerëz dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Ushtria po ashtu paralajmëroi për “pasoja të rrezikshme” për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit nga, siç tha, ky veprim agresiv.

Izraeli, i cili ka kryer sulme ajrore në Siri në të kaluarën, nuk ka bërë ende komente.

Masjaf ndodhet rreth 60 kilometra në lindje të qytetit Tartus, ku Rusia ka një bazë detare.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut tha se sulmi ka goditur objektin e Qendrës për Studime dhe Kërkime Shkencore të Sirisë.

SHBA e ka akuzuar këtë qendër për zhvillim të gazit sarin, i cili dyshohet se është përdorur në një sulm me armë kimike kundër civilëve sirianë, në muajin prill.