Ivanoviq: Prishtina e ka pranuar rëndë dështimin e “operacionit UNESCO”

Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar marrëveshjen e Brukselit ka qenë i pritshëm, dhe se është një tregues se në Prishtinë e kanë pranuar rëndë dështimin e “Operacionit UNESCO”, shkruan Tanjug.

Lajme

11/11/2015 11:10

Ivanoviq është i bindur se dështimi i Kosovës për tu pranuar në UNESCO ka goditur rëndë strukturat dhe institucionet e brishta në Prishtinë, dhe për tu zbutur e gjithë kjo situatë e krijuar është vendosur të pezullohet zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, me saktë pjesën e marrëveshjes e cila ka lidhje me Asociacionin e komunave serbe, transmeton lajmi.net.

“Marrëveshja e Brukselit është një detyrim ligjor dhe është pjesë e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila zyrtarisht është ratifikuar në Prishtinë me Bashkimin Evropian. Është i pakuptimtë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë negativ për sa i përket marrëveshjes së Brukselit e në veçanti atë të AKS-së, sepse kjo do të shkaktonte reagime të ashpra nga BE-ja dhe SHBA-të”, ka shtuar Ivanoviq.

Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me nismën e Presidentes, Atifete Jahjaga, për pezullimin e marrëveshjes së Brukselit për një periudhë të shkurtër, do të qetësojë opozitën dhe të relaksojë situatën në Prishtinë, por shtoi se vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret deri kah mesi i dhjetorit.

Në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është njoftuar se është pezulluar marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave serbe. (lajmi.net)