Ivanovic i pasigurt për kandidim

Oliver Ivanovic nuk është i sigurt nëse do të rikandidojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicës të Veriut. Ai përjashton mundësinë që ndryshimet politike në Veri të përcillen edhe me dhunë. Pret që numri i votuesve të jetë më i vogël.

Lajme

25/01/2014 19:00

Kryetari i Listës Qytetare SDP, Oliver Ivanovic, thotë se nuk është i sigurt nëse do të kandidojë sërish në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Sipas tij, zgjedhjet në Veri janë tregues se në atë pjesë po ndodhin ndryshime nga e kaluara.

Ivanovic, në një intervistë për RTK2, ka thënë se pret që numri i votuesve në këto zgjedhje të jetë më i vogël sesa herën e parë.

Ndryshimet politike që do të vijnë si rezultat i zgjedhjeve në Veri, sipas Ivanovic, mund të sjellin edhe reagime të dhunshme nga grupe të interesit.

“Zgjedhjet dhe emërimi i përfaqësuesve ligjorë të serbëve në Veri do të ndikojë tek njerëzit të kuptojnë se ndryshimi po ndodh tani. Çdo ndryshim ka mundësi që të jetë i rrezikshëm, pasi që prek në qëllime të grupeve të ndryshme të interesit.”

“Ne në kuadër të kësaj iniciative do të marrim një vendim unanim. Aktualisht kemi katër kandidatë, në mesin e tyre është edhe një femër. Nuk pres ndonjë pjesëmarrje të madhe në zgjedhje, mendoj se ajo do të jetë më e vogël se në zgjedhjet e kaluara”.

Sa i përket Bashkësisë së Komunave Serbe të Kosovës, Ivanovic tha se ende nuk dihet pasi që ende nuk është shkruar statuti i saj.

Ish zyrtari i lartë në Qeverinë e Serbisë ka thënë që Serbia asnjëherë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, por pret të ketë një numër marrëveshjesh që do t’i normalizojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Përparimi i mëtejshëm i Serbisë në Bashkimin Europian do të thotë edhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovës, por jo njohjen e pavarësisë”, ka thënë Ivanovic për RTK2.