Ivanov: Nuk do ta legalizoj marrëveshjen për emrin – Lajmi.net
Ivanov: Nuk do ta legalizoj marrëveshjen për emrin
Autori: Lajmi.net LajmeRajoni 18:49, 13 June 2018
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka bërë të ditur se nuk do ta dekretojë marrëveshjen për çështjen e emrit të dakorduar mes qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë.

Në një paraqitje televizive, Ivanov tha se marrëveshja e arritur mes kryeministrave, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras që parasheh emrin “Maqedonia e Veriut”, është anti-kushtetuese, e dëmshme për interesat shtetërore dhe kombëtare maqedonase.

“Me këtë marrëveshje shkelet mbi premtimin e paraardhësve tanë, të atyre që me zemër të pastër realizuan ëndrrën tonë për një Maqedoni të vetme. Me këtë marrëveshje zhduket historia për Maqedoni të pavarur. Atyre që lindin u mohohet e drejta që të quhen maqedonas. Me këtë marrëveshje rrënohet karakteri unitar i shtetit. Ndryshohet Kushtetuta, preambula e saj dhe gjithçka që ka të bëjë me termin maqedon”, tha presidenti Ivanov duke prezantuar qëndrimin i tij se nuk do ta legalizojë marrëveshjen të cilët e quajti “ndërtim pa leje”.

Kreu i shtetit tha se kjo marrëveshje rrënon edhe raportet në shoqëri, ndërsa akuzoi edhe për mungesë të transparencës, e cila sipas tij ka pamundësuar arritjen e konsensusit nacional. Ivanov tha se në 73 vjetët e fundit, Maqedonia nuk ka pasur marrëveshje më të keqe së kjo, ndërsa theksoi se integrimi euroatlantik nuk duhet të shërbejë si alibi për marrëveshje të “dëmshme” që rrënojnë themelet e shtetit.

“BE-jadhe NATO-ja nuk duhet të jetë alibi për marrëveshje të keqe. Një marrëveshje e tillë polarizon në vend se të bashkojë shoqërinë… nuk do të legalizoj marrëveshje të tilla, kjo është fjala ime e fundit”, tha Ivanov.

Deklarata e Ivanovit pasoi një takim të tij me kryeministrin Zoran Zaev, nga i cili kishte marr marrëveshjen e arritur të martën. Takimi, sipas komunikatës së Presidencës, ka zgjatur vetëm dy minuta, ndërsa sipas Qeverisë, takimi është braktisur nga Ivanov duke i pamundësuar kryeministrit dhe shefit të diplomacisë të sqarojnë, siç thuhet, “përfitimet për shtetit nga marrëveshja e arritur”.

“Kryeministri Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov kishin një përpjekje konstruktive për prezantimin dhe shqyrtimin e përmbajtjes së marrëveshjes, por presidenti Ivanov ka ndërprerë debatin dhe ka braktisur mbledhjen duke refuzuar të bisedohet për përfitimet e kësaj marrëveshjeje historike për të ardhmen e Maqedonisë”, thuhet të komunikatën e Qeverisë.

Ndërkohë, me presidentin është takuar edhe lideri i opozitës, Hristijan Mickovski pasi paraprakisht bëri thirrje për një takim mes tij, kreut të shtetit dhe kryeministrit.

Në një paraqitje para mediave, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se kërkon dokumentin në formën e shkruar, ndërsa duke iu referuar përmbajtjes së asaj të cilën e publikoi të martën kryeministri Zoran Zaev, tha se për opozitën një marrëveshje e tillë është e papranueshme, duke e quajtur “marrëveshje të kapitullimit”.

“Le të gjykojë opinioni maqedonas se me çfarë njeriu kemi punë. Zaev premtonte diçka tjetër, kurse Maqedonisë i sjell marrëveshje kapitullimi. Asnjë fjalë e tij nuk vlen asgjë. Për disa muaj ndryshoi sjelljen e tij duke dëmtuar Republikën e Maqedonisë. Kësaj radhe, çmimin e një kapitullimi të tillë do ta paguajnë qytetarët e vendit. Kjo paraqet disfatë absolute të diplomacisë maqedonase që nuk mund të interpretohet si fitore. Më këtë marrëveshje janë tradhtuar pritjet e qytetarëve të Maqedonisë”, tha Mickovski, i cili më pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev tha se do të zhvillojë takime brenda partisë, por edhe konsultime me faktorë të tjerë në vend.

“Nuk kishte momente të reja që t’i thoshim njëri- tjetrit. Kërkova takim për të marr dokumentin.. e përsëris kjo për mua është marrëveshje për kapitullimin e Republikës së Maqedonisë. Pasi ta analizojmë brenda organeve të partisë, do të ftojmë në konsultime drejtuesit e Kishës Ortodokse, të bashkësisë fetare islame dhe Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve. Me këtë marrëveshje ndoshta Akademia nuk do të ketë emër. Duam konsultime edhe më grupe tjera të shoqërisë në vend”, ka deklaruar Mickovski pas takimit me kryeministrin Zaev.

Nga Qeveria mbeten në qëndrimin se marrëveshja garanton të ardhmen e vendit, sikur edhe gjuhën maqedonase, identitetin, sigurimin dhe me këtë perspektivë më të mirë për qytetarët dhe shtetin në përgjithësi.

“Maqedonia para vetes ka një qëllim shumë strategjik, anëtarësimin në NATO dhe BE. Pikërisht anëtarësimi në këto organizata është një nga obligimet e Qeverisë së Maqedonisë pasi jemi të vetëdijshëm se qytetarët këtë e presin, pasi e dinë se anëtarësimi në NATO sjell sigurimin e shumë pritur jo vetëm fizik, por edhe juridik, ekonomik, si dhe prosperitet për qytetarët dhe shtetit”,deklaroi zëvendëskryeministrja Radmilla Sheqerinska.

Partitë shqiptare, nga ana tjetër, i kanë dhënë mbështetje marrëveshjes duke e vlerësuar si hap pozitiv drejt zhbllokimit shumëvjeçar të kontestit të emrit dhe hapjen e rrugës së integrimit euroatlantik të vendit. Partitë shqiptare nuk kontestojnë emrin e ri Maqedonia Veriore, për dallim nga i mëparshmi, kur vërejtjete tyre kryesisht kishin të bënin me gabimet gjatë përkthimit të emrit “Maqedonia e Ilindenit”.

Ndryshe, pas Bashkimit Evropian dhe NATO-s, marrëveshja Maqedoni-Greqi është mirëpritur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“SHBA-ja përgëzon kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras për marrëveshjen historike për zgjidhjen e kontestit për emrin. Zgjidhja do të jetë e dobishme për të dyja vendet dhe do t’i përforcojë sigurinë rajonale dhe progresin. Kryeministrat Zaev dhe Tsipras treguan vizion, guxim dhe angazhim në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të përbashkët”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit./REL

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO