Italianët interesohen për investime në Kosovë

Panairet nuk shërbejnë vetëm për promovimin e produkteve, por ato janë të mira edhe për njohjen e investitorëve potencialë dhe për mundësitë që një vend ofron për të investuar.

Lajme

30/04/2015 21:21

Kështu po ndodh edhe me disa biznesmenë italianë, të cilët shprehen se Kosova ka filluar të ndryshojë në të mirë të ardhjes së investitorëve të jashtëm.

Disa biznesmenë italianë kanë ardhur për të promovuar produktet e tyre pasi Kosovën e shohin si vend potencial për investime.

Nico Ricci, përfaqësues i një kompanie që merret me prodhimin e pjesëve të ndryshme për automobila, thotë se Kosova ka filluar të krijojë klimë të favorshme për tërheqjen e investitorëve nga jashtë.

“Sipas informacioneve që Ambasada Italiane na ka dhënë, Kosova ka klimë shumë të favorshme për investime. E dimë se më përpara ka pasur probleme. Por, tani institucionet e Kosovës kanë filluar të punojnë më tepër dhe të realizohet një imazh tjetër për Kosovën”, tha Ricci për RTK.

Biznesmenët italianë thonë se barriera kryesore që Kosova ka pasur, ishte pasiguria, por tashmë kjo ka filluar të ndryshojë.

“Qëllimi ynë është të bëjmë të njohur për opinion kosovar prodhimet e ndërmarrjes sonë, ku pjesën më të madhe të eksportit të produkteve i kemi jashtë Italisë, dhe të tregojmë ekselencën që i përket kësaj kompanie dhe ta importojmë në Kosovë, dhe vizitat të tilla në këtë vend është të gjejmë klimë të favorshme për investime”, tha përfaqësues i kompanisë Italiane “Angelantoni Lifescience”, Marco Nardini.

Sipas këtyre biznesmenëve, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më tepër publicitet për krijimin e imazhit sa më pozitiv të vendit, në mënyrë që investitorë potencialë të ndihem të sigurt për investime. (RTK)