Italia ndryshon formacionin kundër Shqipërisë!

Jo vetëm Shqipëria. Dilema për formacionin ka edhe në radhët e Italisë.

Sport

23/03/2017 15:19

Nëse prej ditësh është diskutuar se italianët do të hidhin në fushë një skuadër ultra-ofensive, të rreshtuar me skemën 4-2-4 tashmë diçka duket se ka ndryshuar.

Kuqezinjtë që nuk cilësohen më një skuadër e vogël në arenën ndërkombëtare dhe përtej Adriatikut kanë nisur të dyshojnë nëse kjo është mënyra më e mirë për të zbritur në fushë. Për këtë arsye, te Italia mund të vendosin të propozojnë një skuadër disi më pak ofensive dhe të shtojnë një lojtar në mesfushë, shkruan “SuperSport.al”.

Në këtë kuadër, alternativë për duelin e kësaj të premteje në Palermo është edhe formacioni 4-3-3. Fillimisht u mendua se trajneri Ventura do të luante me variantin e preferuar 4-2-4, ku dyshja sulmuese Belotti-Immobile do të mbështetej nga Insigne dhe Candreva nga krahët, ndërsa në mesfushë do të ishin De Rossi e Verratti.

Por, në momentin që kanë nisur dilemat e para, stafi teknik i të kaltërve po studion edhe mundësinë për të hedhur në fushë tre mesfushorë dhe tre sulmues, duke bërë që Belotti të jetë pyka e vetme dhe Immobile të sakrifikohet, zgjedhje që do të hapë balotazhin në mesfushë mes Gagliardini-t dhe Parolo-s, kandidatë për një fanellë titullari.

Italia kërkon të shënojë sa më tepër në ndeshjet e saj, sepse në garën për vendin e parë me Spanjën, në fund mund të jetë golavarazhi ai që do të përcaktojë kryesuesit e Grupit G kualifikues drejt Botërorit 2018.

Një mision aspak i lehtë përballë “bunkerit” që pritet të hedhë në fushë De Biasi me Shqipërinë, për të synuar një rezultat pozitiv, që do të ishte historik për kuqezinjtë.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6