Italia mund të kualifikohet në botëror? Lexoni se çfarë thotë neni 7-të i FIFA-s

Në këtë pikë të rregullores flitet pikërisht për një rikualifikim të mundshëm të një prej përfaqësueseve të eliminuara, në rast se një prej 32 përfaqësueseve të kualifikuara tërhiqet, ose përjashtohet nga kompeticioni.

Sport

15/11/2017 11:22

Barazimi i djeshëm në shtëpi ndaj Suedisë, la Italinë jashtë Kampionatit Botëror për herë të dytë në histori. Kjo gjë shkaktoi një katastrofë sportive për të kaltërit, të cilët nuk u besojnë syve dhe ndihen të shokuar.

Por, Neni 7 i rregullores zyrtare të FIFA lë të hapur një fije të hollë shprese, dhe italianët tashmë duhet të fillojnë të luten dhe të mbërthejnë fort me thonj shpresën e fundit, për të evituar një tragjedi mbarë kombëtare, që për Italinë përllogarit edhe një dëm ekonomik të kalkuluar rreth 1 miliard euro.

Në këtë pikë të rregullores flitet pikërisht për një rikualifikim të mundshëm të një prej përfaqësueseve të eliminuara, në rast se një prej 32 përfaqësueseve të kualifikuara tërhiqet, ose përjashtohet nga kompeticioni.

Në rast se do të verifikohet njëra nga këto dy situata, atëherë institucioni më i lartë futbollistik në planet mund të vendosë të zëvendësojë skuadrën e tërhequr, ose të përjashtuar, me një tjetër ekip.

Dhe Italia, në cilësinë e ekipit më të mirë të klasifikuar në vendin e dytë në fazën e grupeve, mund të jetë zgjedhja, duke shtuar gjithashtu edhe kompetivitetin e turneut.

Për momentin, me vetëm pak muaj larg Botërorit Rusi 2018, është e vështirë të hipotezohet një përjashtim, ose një tërheqje nga ana e ndonjë ekipi përfaqësues të kualifikuar tashmë për në Botërorin 2018.

Normalisht, ka kombe në të cilat situata politike është shumë e trazuar, sikurse Korea e Jugut, Nigeria, Irani, Arabia Saudite, Senegali, Egjipti, etj. por gjithsesi shanset janë minimale.

Precedentët e përjashtimeve dhe rikualifikimeve të bujshme nuk mungojnë në historinë e futbollit, madje edhe në kohën moderne të sportit më të ndjekur, pas viteve 1990. Rasti më elektrizues është ai i Jugosllavisë, në kohën e Europianit të vitit 1992.

Për pasojë të shpërthimit të luftës së Ballkanit, përfaqësuesja jugosllave u përjashtua nga enventi më i madh kontinental. Në vend të ish-Jugosllavisë u rikualifikua Danimarka, e cila si për surprizë më pas shtangu Europën, duke fituar eventin.